December 22, 2024
1111REDAKT.Koncept-i-ri-qe-rikthen-Biologjine-Fiziken-Kimine.jpg


Si rezultat i ndryshimeve në Koncept, në periudhën e ardhshme do të hartohet një plan i ri mësimor për arsimin fillor, si dhe plan-programe të reja për lëndët përkatëse në klasat e shtata, të teta dhe të nënta, të cilat do të futen gradualisht duke filluar nga vitin shkollor 2025/2026 si dhe në dy vitet e ardhshme akademike

Anëmsha SHABANI

Shkup, 19 nëntor – Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), pas sugjerimeve të ekspertëve dhe reagimeve të shumta, bëri ndryshime në Konceptin për Arsimin Bazë. Historia, Gjeografia, Biologjia, Fizika dhe Kimia kthehen si lëndë të veçanta në arsimin fillor. Ndërkaq, Byroja për Zhvillimin e Arsimit (BZHA) ka përgatitur përmbajtjen e re të avancuar, e cila parasheh që këto lëndë të mësohen si lëndë të veçanta në periudhën e tretë arsimore të arsimit fillor (klasa e shtatë, e tetë dhe e nëntë). Pra, si rezultat i ndryshimeve në Koncept, në periudhën e ardhshme do të hartohet një plan i ri mësimor për arsimin fillor, si dhe plan-programe të reja për lëndët përkatëse në klasat e shtatë, tetë dhe të nëntë, të cilat do të futen gradualisht duke filluar nga vitin shkollor 2025/2026 si dhe në dy vitet e ardhshme akademike.

“Ndryshimet mundësojnë rikthimin e disiplinave shkencore si lëndë të veçanta në periudhën e tretë të arsimit fillor, duke pasur parasysh se më parë Koncepti parashikonte integrimin e tyre me udhëzime të pasqaruara për realizimin e mësimeve, si dhe shkurtimin e shumë përmbajtjeve që janë jashtëzakonisht të rëndësishme për nxënësit në moshat e përshtatshme”, theksoi MASH. Ndryshe nga më parë, kur kishte 8 deri në 11 lëndë të detyrueshme, në konceptin e ri parashikohen nga 9 deri në 15 lëndë.

“Nga fusha e Matematikës dhe shkencave të natyrës, nga standardet kombëtare rrjedhin këto lëndë: Matematika (klasat I-IX), shkencat natyrore (klasat I-VI), ku përfshihen lëndët që i përkasin Biologjisë, Kimisë, Fizikës dhe pjesëve të Gjeografisë, si dhe lëndë të veçanta mësimore lëndët Biologji, Kimi dhe Fizikë (klasat VII-IX). Lënda Histori dhe Shoqëri (klasat IV-VI) përfshin përmbajtje që i përkasin historisë, pjesëve të gjeografisë, edukimit qytetar dhe disiplinave të tjera social-humaniste dhe së bashku me lëndën shoqëria (klasat I-III), rrjedhin drejtpërdrejt nga fusha e shoqëria dhe kultura e demokracisë nga standardet kombëtare”, thuhet në ndryshimet e konceptit të MASH-it.

Nga ana tjetër, Kryetari i Shoqatës së Arsimtarëve për Kumanovë dhe Likovë, Samet Jahiu për gazetën KOHA deklaroi se lëndët duhet të mësohen veç e veç dhe t’i kushtohet më shumë rëndësi lëndëve profesionale që në shkollën fillore, për t’i ndihmuar nxënësit të zgjedhin një profesion në të ardhmen.

“Unë gjithmonë kam qenë kundër bashkimit të lëndëve, pasi ato duhet të mësohen veç e veç, që secila të trajtohet si një fushë e veçantë e njohurish dhe aftësish. Bashkimi i lëndëve nuk i jep mundësinë nxënësve të thellohen në një tematikë të caktuar dhe t’i kuptojnë më mirë konceptet. Po ashtu, është shumë e rëndësishme që t’i kushtohet më shumë rëndësi lëndëve profesionale në drejtime të ndryshme. Këto lëndë duhet të ofrohen që në shkollën fillore, në mënyrë që nxënësit të nisin të njohin mundësitë profesionale që mund të ndjekin në të ardhmen”, tha ai. Ai shtoi se ky model është i zbatueshëm dhe në shumë shtete perëndimore dhe është zgjidhja e duhur për çdo shkollë.

“Duke ofruar mundësi për të mësuar aftësi profesionale që herët, nxënësit mund të jenë më të përgatitur për të zgjedhur drejtimet e duhura që në shkollën e mesme. Ky është një model i testuar dhe i suksesshëm në shumë shtete perëndimore, ku arsimi ofron mundësi për të zhvilluar aftësi praktike dhe profesionale që përgatitin individët për një karrierë më të qëndrueshme dhe të suksesshme. Prandaj, është e nevojshme që sistemet arsimore të shohin përpara dhe t’u mundësojnë nxënësve zgjedhje të informuara për të ardhmen e tyre profesionale”, theksoi Jahiu.

Ndryshe, sipas konceptit të përditësuar, të gjitha lëndët mësimore të detyrueshme dhe të gjitha lëndët zgjedhore në fushën e gjuhëve mbulohen nga tekste dhe materiale mësimore cilësore që janë plotësisht në përputhje me nevojat dhe interesat e studentëve. Për lëndët maqedonisht, shqip, turqisht, serbisht, boshnjakisht, matematikë, shkenca natyrore, shoqëri, histori dhe shoqëri, biologji, kimi, fizikë, histori, gjeografi, edukatë qytetare, gjuhë angleze dhe të gjitha lëndët e tjera nga lëmia e gjuhëve, përgatiten tekste shkollore, të cilat duhet të jenë në formë të shtypur për nxënësit e klasave të para deri në klasat e treta, kurse për nxënësit nga klasa e katërt deri në klasën e nëntë mund të jenë në formë elektronike ose të shtypur. (koha.mk)



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *