
Së pari duhet të pranojmë që ishte një ndeshje shumë e vështirë, sepse çdo rezultat, por sidomos negativi, e ndërpriste rrugën drejt vendit të parë ose të dytë.Pra, kundër Çekisë, ekipi ynë ishte përballë një loje jo vetëm fizike, por edhe psikologjike për ta kaluar me sukses. Kjo, sepse kishte të bënte me ecurinë e të gjithë Ligës së Kombeve. Pjesa e parë, duke u nisur edhe nga këto kritere të vlerësimit si vështirësia e ndeshjes, rezultati, ana psikologjike dhe ambienti sportdashës që ishte në stadium dhe kërkonte me çdo kusht një fitore, e bëri shumë të vështirë lojën e ekipit tonë, sidomos në 35 minutat e para.
Përgjegjësia e ndeshjes e detyroi skuadrën që të zbatonte deri diku aspektin mbrojtës. Pra, kthimin në gjysmën e fushës tonë dhe marrja e masave për të mos lejuar kundërshtarin që të rrezikonte portën e Strakoshës. Një mënyrë e tillë loje shpesh herë e ka vënë skuadrën tonë në vështirësi, sepse nuk ishte në gjendje të kontrollonte si lojën brenda për brenda fushës dhe po ashtu edhe mënyrën e zhvendosjes së veprimeve të çekëve në drejtim të portës sonë.
PROBLEMET DHE FRIKA E HUMBJES
Çekia luajti më ndryshe sesa në ndeshjen e zhvilluar në Pragë. Trajneri i tyre aplikoi me sukses presingun në gjysmëfushën tonë, duke mos e lejuar Shqipërinë që të dilte edhe në veprime mbështetëse të mesfushës dhe sulmit. Aplikimi i lojës me topa të gjatë ishte mjaft i studiuar nga ana e çekëve dhe ne na vuri në vështirësi shumë të madhe. Organizimi i lojës nis që nga mbrojtja, por lojtarët tanë mbrojtës nuk ishin në gjendje, sepse së pari, duhej të mbroheshin nga këto vertikalizime të topit dhe së dyti duhej të kishin mendjen dhe e kundërshtari, i cili nuk lejonte që ata të dilnin me pasime, të organizuar dhe të mbështesnin dhe veprimet e mesit të fushës dhe të sulmit. Kjo ishte arsyeja e parë e vështirësisë nga pikëpamja taktike dhe teknike. E dyta, padyshim që megjithëse para ndeshjes shprehemi se është takim që duhet kaluar patjetër, në brendësi të ndërgjegjes të lojtarëve dhe trajnerit është frika e humbjes. Gjithmonë kjo anon më tepër, sidomos kur luan në fushën tënde dhe në këtë aspekt lojtarët nuk ishin të lirshëm. Veprimet e tyre ishin të nxituara dhe po ta shohësh me vëmendje, të gjithë vepronin me kokën ulur. Pra, nuk kishin shikim periferik dhe as mbështetje se ku të dërgohej topi i parë.
ASANI I PRISHI EKUILIBRAT
Unë mendoj që dalja e papritur e Asanit për shkak dëmtimi i prishi ekuilibrat. Sado që Asani, Tuci dhe Bajrami, 70 për qind kishin detyra mbrojtëse, sërish Jasiri ka një specifikë, pasi është lojtar teknik, që driblon, fiton duelet me kundërshtarin dhe godet portën. Ne nuk kemi goditur më shumë se 4-5 herë gjatë gjithë ndeshjes portën e Çekisë. Mendoj se lojtarë si Asani, Muçi dhe Uzuni, duhet të gjejnë vend më tepër, hapësira më të mëdha. E thashë edhe më lart, është thjesht detyrë e trajnerit, si e mendon dhe si është i përgatitur ai për ndeshjen.
* Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.
SHKRIMIN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT
PANORAMASPORT.AL
