December 28, 2024
auto_unnamed_21731914735.jpg



Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti konsideron që qeveria e Kosovës nuk duhet të qëndrojë në heshtje sa i përket shqetësimeve të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Në prag të takimit të dy qeverive, që do ta mbahet sot në Prishtinë, Ahmeti i bën thirrje ekzekutivit kosovar që të flas me kryeministrin maqedonas sa i përket problemeve të shqiptarëve atje.

Kreu i BDI-së ka shprehur shqetësim për mosrespektim të Marrëveshjes së Ohrit, pas iniciativave për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Ahmeti: Apel qeverisë së Kosovës që t’ia komunikojë kryeministrit maqedonas shqetësimet e shqiptarëve

“Jam drejtuar me një thirrje, me apel Qeverisë së Kosovës që shqetësimet e shqiptarëve të Maqedonisë t’ia komunikojnë… kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe kam apeluar për të gjitha partitë politike në Kosovë që të kenë konsideratë shqetësimet që i kanë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, mbi tentativat që bëhen për ndryshimin e Ligjit të gjuhës, ndryshimin e marrëveshjes, substancës marrëveshjes paqësore të Ohrit dhe shpresoj që ky apel të shkojë deri në vesh të institucioneve shtetërore, por edhe deri tek udhëheqësit e partive politike në Kosovë që të mos jenë indiferent, sepse përpjekjet tona historike kanë qenë të përbashkëta, në drejtim të sigurimit të lirisë, ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe në drejtim të statusit politik dhe juridik të shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë”, ka shtuar ai.

Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut i detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve. Këtu bëhet fjalë edhe për gjuhën shqipe.

Atje rreth 30 për qind e popullsisë janë shqiptarë, nga rreth 2 milionë banorë sa numëron shteti.

Për Ligjin për gjuhët, Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut pritet të vendosë në dhjetor të këtij viti.

Diskutimi për të vjen pasi në pushtet atje ka ardhur VMRO-DPMNE, e cila ishte kundër këtij ligji.

Ahmeti: Ka zhvillime shqetësuese për ne shqiptarët në Maqedoni të Veriut

“Në Maqedoni të Veriut zhvillimet politike nuk premtojnë ndonjë perspektivë të qëndrueshme, sepse kanë ardhur disa iniciativa për ndryshimin e Ligjit të gjuhës shqipe, që kjo iniciativë, ma kujton 1989 kur Millosheviqi suprimoi autonominë e Kosovës, që nuk është mirë as për komunitetin maqedonas dhe shqiptarët… Sepse prekët substanca, palca e marrëveshjes paqësore të Ohrit me ndryshimet që pretendohet t’i bëjnë mbi ligjin dhe përdorimin e gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, është hequr përkatësia etnike, gjithashtu që është pjesë, substanca e marrëveshjes paqësore të Ohrit, sepse pa përkatësinë etnike dhe deklarimin e etnisë, mund të gjinden dhjetëra arsye pse shqiptarët janë jo të përgatitur profesionalisht edhe të lihen të margjinalizohen, faktikisht po instalohet dominimi i shumicës mbi komunitetin e dytë shqiptar në Maqedoninë e Veriut dhe këto zhvillime janë shqetësuese për ne”, ka thënë Ahmeti.

Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 2001 me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar dhe pas negociatave disa ditore intensive në Shkup.

Dokumenti që njihet si kontratë mes shqiptarëve dhe maqedonasve, i dha fund një konflikti të armatosur në Maqedoninë e atëhershme.

Sipas Ahmetit, veprimet e pushtetit atje po e rrezikojnë ketë marrëveshje.

Për KP, Ahmeti flet edhe për problemet me të cilat përballen veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kalojnë neper kufirin e Maqedonisë së Veriut.

Sipas Ahmetit, institucionet shtetërore duhet të bëjnë përpjekje politike e diplomatike, që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL dhe të angazhohen maksimalisht që të mos maltretohen ish-ushtarët e UÇK-së.

Ahmeti: Duhet të bëhen përpjekje politike e diplomatike që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL

“Institucionet duhet të angazhohen që Kosova dhe institucionet e saj, në radhë të parë duhet të bëjnë përpjekje politike diplomatike, që Kosova të anëtarësohet në INTERPOL sepse Serbia është anëtare e INTERPOL-it, i bënë denoncimet në INTERPOL. Ata detyrimisht, detyrohen që të respektojnë vendimet e qendrës dhe të gjitha shtetet obligohen që të respektojnë vendimet e shteteve përkatëse që janë anëtare të INTERPOL-it. Institucionet duhet të angazhohen maksimalisht që të mos maltretohen ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kjo punë mbetet punë institucionale”, thotë Ahmeti.

Për çështjen e shqiptarëve në Shkup, Ali Ahmeti javë më parë u ka dërguar letër edhe krerëve evropianë dhe atyre në rajon.

Ahmeti ka ngritur shqetësime se Maqedonia e Veriut mund të “kthehet në periudha pasigurie” me vendimet e ekzekutivit për të ndryshuar apo për të rishikuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve.

Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut do të mbajnë sot mbledhje të përbashkët, ku pritet të nënshkruhen disa marrëveshje.

Takimi do të mbahet në Kosovë.





Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *