Seleksionuesi i Rumanisë në futboll Mircea Lucescu ka akuzuar futbollistët e Kosovës për mungesë të “fair-playt”.
Ndeshja e së premtes mbrëma mes Rumanisë dhe Kosovës u ndërpre në minutat shtesë, pasi lojtarët e Përfaqësueses së Kosovës u tërhoqën nga fusha pas fyerjeve, thirrjeve “Kosova është Serbi” dhe hedhjes së gjësendeve nga tifozët rumunë.
“Nëse nuk fitojmë 3:0, do të thotë se nuk ka më rregullore. Gjithsesi u shkel ajo, sepse vazhdoi kaq gjatë. Duhej të merrej menjëherë vendimi, por s’kishin guxim ta bënin. Ne ishim të gatshëm të qëndronin deri në mëngjes. Gjithsesi u ktheva në shtëpi në 4. Një ekip që largohet nga fusha duhet të humbasë 0:3. Unë i respektoj lojtarët e tyre, shtrëngova duart, më erdhi Muriqi, por sjellja e tyre…” – ka thënë Lucescu në konferencë për media të dielën, raporton “GSP.ro”.
Lucescu ka pranuar se Kosova ka luajtur më mirë në ndeshjen e të premtes, ai thotë se ishin të përgatitur se mund të ndodhte një largim i tillë nga fusha.
“E dinim më parë se do të largoheshin nga fusha, e kishin thënë në konferencë. Publiku u soll për mrekulli. As që mund të krahasohet me atë që ishte në Prishtinë. Na hodhën sende, fishkëllenin himnin tonë…Ata shpresonin se do të dilnin nga fusha dhe do të fitonin 3:0, mungesë e tmerrshme e ‘fair-playt’”, ka thënë Lucescu.