“Derisa në vitin 2023 për 12 muaj kishim 41 lëndë për shkurorëzim, gjatë këtij viti, respektivisht për 9 muaj janë gjithsej 42 lëndë, ku kanë hyrë edhe disa lëndë gjyqësore që kanë ngelur nga viti që kaloi. Është një dukuri shoqërore shqetësuese, veçmas kur dihet se në të kaluarën – numri i shkurorëzimeve ka qenë shumë i vogël”, thotë për KOHA, kryetari i Gjykatës Themelore në Dibër, Mersim Marku
Vjollca SADIKU
Dibër, 17 nëntor – Në Komunën e Dibrës edhe më tej problem në rritje është dukuria e shkurorëzimeve. Në Dibër para shumë dekadave – shkurorëzimeve kanë qenë të pakta dhe mund të numëroheshin me gishta, por viteve të fundit – divorcet nga viti në vit shënojnë një rritje. Dy dekadat e fundit kjo dukuri po merr përmasa shqetësuese duke marrë parasysh se numri i banorëve në komunë, sipas regjistrimit të fundit të popullatës është diçka më shumë se 15 mijë, ndërsa numri i divorceve është i madh. Të dhënat e Gjykatës Themelore në Dibër thonë se në periudhën janar-shtator të këtij viti, janë regjistruar gjithsej 42 lëndë për shkurorëzim, ndërkohë viteve tjera – në mesatare, shkurorëzimet nuk e kanë kaluar numrin 30.
Kryetari i Gjykatës Themelore në Dibër, Mersim Marku për gazetën KOHA thotë se dukuria është prezente dhe nga viti në vit ka një rritje. “Derisa në vitin 2023 për 12 muaj kishim 41 lëndë për shkurorëzim, gjatë këtij viti, respektivisht për 9 muaj janë gjithsej 42 lëndë, ku kanë hyrë edhe disa lëndë gjyqësore që kanë ngelur nga viti që kaloi. Është një dukuri shoqërore shqetësuese, veçmas kur dihet se në të kaluarën – numri i shkurorëzimeve ka qenë shumë i vogël”, tregon Marku, ndërsa potencon se gjithmonë është tentuar që me ndihmën e institucioneve kompetente, palët të gjejnë mirëkuptim me qëllim që të mos vie deri tek divorcet.
Në lidhje me shkaqet që sjellin deri tek divorcet, kryetari i gjykatës Mersim Marku thotë se ata janë të ndryshme. “Nëse analizohen shkaqet, dominante janë probleme sociale me të cilët ballafaqohen qytetarët në familjet e tyre. Por përveç problemeve sociale, divorcet vijnë edhe për shkak të përdorimit të alkoolit si dhe bixhozit, kryesisht nga ana e bashkëshortëve. Janë këta dukuri negative, të cilët detyrojnë bashkëshortet, por edhe anëtarët e tjerë të familjes të sjellin vendime për divorce. Këta dukuri sjellin edhe dhunën në familje, kryesisht kundër grave. Normalisht një ndikim në aspektin e shkurorëzimeve ka edhe migrimi masiv i popullatës – jeta e ndarë mes bashkëshorteve, por edhe fejesa dhe martesa mes të rinjve që jetojnë në diasporë me partnerë nga vendlindja, respektivisht nga Dibra dhe rrethina. Karakteret e ndryshëm e të rinjve janë shkak që jeta e përbashkët e bashkëshortëve të ri të përfundojë shpejt”, thotë Marku.
Ai sqaron se divorcet pastaj sjellin edhe probleme shumë të mëdha, veçmas nëse bashkëshortët që kanë fëmijë. “Një problem i veçantë janë edhe pagesat e alimentacioneve, që po ashtu ne si gjykatë i trajtojmë në mënyrë të veçantë”, thotë Marku. Ka prindër që nuk paguajnë alimentacion sidomos ata të cilët janë të papunë.
Marku thotë se Gjykata Themelore e Dibrës ka një bashkëpunim shumë të mirë në lidhje me shkurorëzimet me Qendrën për punë Sociale në Dibër. Në Qendrën për Punë Sociale ka një ekip shumë të mirë që punon me partnerët para divorcit, me tendencë qa ata mos ndahen. Tentimi të mos vie deri tek shkurorëzimi disa herë ka edhe rezultate, por jo në numrin më të madh, prandaj paraqiten lëndë për shkurorëzim. Për problemin në fjalë disa herë kanë debatuar edhe disa nga shoqatat qytetare. Ata potencojnë se shoqëria duhet më shumë të bëjë në drejtim të kontrollit të kazinove, por edhe në drejtim të edukatës nëpërmjet punëtorive për rritjen e vetëdijes që familja të jetë e shenjtë. Rreth këtij problemi kanë debatuar edhe përfaqësues të shoqatave fetare, por edhe të disa shoqatave dibrane që veprojnë në mërgim. (koha.mk)