Shkup, 17 nëntor – Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski ka dërguar urim me rastin e 33 vjetorit të miratimit të Kushtetutës së parë.
“Me miratimin e Kushtetutës në vitin 1991 u ridizajnua rregullimi i brendshëm i sistemit dhe i institucioneve dhe kjo Kushtetutë reflektonte aspiratën e brezit të atëhershëm për një Republikë të lirë, sovrane dhe të pavarur. Me miratimin e Kushtetutës si akt më të lartë juridik, lindi shpresa e qytetarëve për një jetë më të mirë, një shtet demokratik ku do të sundojë ligji”, thekson në urim Kostadinovski.
Kjo ditë, 17 nëntori, shton Kostadinovski, duhet të jetë një kujtesë e obligimit të gjeneratës sonë, të secilit prej nesh që të mos tradhtojë shpresat e trashëguara dhe të kontribuojë në ndërtimin e shtetit juridik, të përballet me sistemin e vlerave të përfshirë në Kushtetutë.
“Të gjithë e kemi për detyrë ta zbatojmë në mënyrë të vazhdueshme dhe më e rëndësishmja, të jemi lojal ndaj Kushtetutës. Sot i bëj thirrje secilit prej nesh që fuqia e Kushtetutës buron nga vendosmëria e çdo qytetari për të qëndruar pas saj dhe për ta mbrojtur atë”, thekson mes tjerash Kostadinovski.
Dita e sotme, thekson Kostadinovski, le të jetë edhe një konfirmim për qytetarët, të jenë të sigurt se Gjykata Kushtetuese do ta ruajë dhe mbrojë pa kompromis Kushtetutën me të gjitha vlerat e saj, do ta mbrojë lirinë, demokracinë dhe shtetin e së drejtës.