Postuar: Nëntor 17, 2024 | 16:05
Trajneri i përkohshëm i Anglisë, Li Karslej, tha se Herri Kejn e kuptoi vendimin për ta lënë atë jashtë fitores kundër Greqisë dhe njoftoi se do ta rikthejë titullar sulmuesin kundër Republikës së Irlandës të dielën. Tekniku provizor vlerësoi “shembullin e shkëlqyer” të dhënë nga kapiteni i “Tre Luanëve”.
‘Ishte e shkëlqyer që Oli shënoi një gol”, tha Karslej pas fitores 3-0 në Athinë. “Është e rëndësishme që t’i vendosim këta lojtarë në një pozicion ku nëse do të shkojmë për të fituar Kupën e Botës, atëherë këta lojtarë duhet të kenë sa më shumë përvoja që të munden. Nuk ishte e lehtë për Herrin. Ai do të nisë ndeshjen tjetër dhe mendoj se ka shumë gjëra pozitive për të marrë nga ajo paraqitje”.
I pyetur për reagimin e golashënuesit më të mirë të historisë së klubit pasi u la në stol, Karslej tha: “Ai ishte absolutisht mirë. Do të ishte e drejtë të thuhet se dëshiron të luajë çdo ndeshje, siç bëjnë të gjithë lojtarët kryesorë. Unë mendoj se ai e kupton se është e rëndësishme që lojtarët e tjerë të përjetojnë atë lloj përvoje që patëm kundër Greqisë. Ai është një shembull i shkëlqyer për lojtarët e tjerë dhe pres që ai të startojë të dielën dhe të luajë mirë”.
PANORAMASPORT.AL