January 10, 2025
elidon-demiraj.jpeg


Fitorja bindëse në shtëpi me Vorën pretendente për t’u ngjitur në elitë është tregues force dhe cilësie për Apoloninë, por më shumë duhet ekuilibri i duhur për të pasur vazhdimësi. Ky është mendimi i Elidon Demirajt, që e sheh si një fitore me mjaft vlerë atë ndaj vorakëve dhe kërkon që ekipi të vazhdojë kështu dhe të luftojë fort nga ndeshja e radhës.

elidon demiraj

Ish-mbrojtësi dhe trajneri i fierakëve, për “Panorama Sport” flet për situatën aktuale dhe në fund thekson se duhet një plan i mirëfilltë për të ngjitur fierakët në Superiore.

Demiraj, si e vlerësoni ecurinë e Apolonisë gjatë fazës së parë?

Faza e parë ka kaluar me luhatje të mëdha, karakteristikë kjo e ekipeve të pa kolauduara. Këtë ecuri dhe këto pikë të grumbulluara në fazën e parë i vlerësoj si shumë normale dhe brenda pritshmërisë që unë kam pasur pa filluar sezoni, duke parë investimet dhe merkaton e kryer. Tjetër gjë është se çfarë ne kemi dëshirë dhe ku duam ekipin e zemrës, realisht nuk mund të pretendojmë më shumë.

Që prej uljes në pankinë të trajnerit Pajaziti, ekipi duket se ka kaluar ngërçin e rezultateve. Çfarë ka ndryshuar?

Trajneri aktual ka qenë fillimisht drejtor teknik i klubit. Ai ka qenë i brendshëm në stafin drejtues sa i takon çdo vendim të marrë për ndërtimin e ekipit. Ai duhet t’i dijë më mirë pikat e dobëta dhe të forta të ekipit. Me Vorën ishte një fitore e rëndësishme, sepse u arrit ndaj një pretendenti për t’u ngjitur në elitë. Apolonia nuk ka vazhdimësi, e ritheksoj, ka mjaft luhatje.

Fitoren ndaj Vorës pretendente nuk e shihni si një pikë kthese?

Nuk mjafton vetëm një rezultat. Nuk mund të vijë kthesa me një fitore, cilido qoftë kundërshtari. Duhet të shihet vazhdimësia për të thënë që kemi vërtetë një kthesë në lojë dhe rezultate. Fakti që mori një rezultat të pastër me një kundërshtar serioz në kampionat, tregon që ekipi ka forcë dhe cilësi, por më shumë duhet të gjejë ekuilibrat e duhur për të pasur vazhdimësi.

Apolonia po luan sezonin e 4-t radhazi në Kategorinë e Parë. Pse futbolli fierak e ka kaq të vështirë të ringrihet?

Duke qenë se po luan sezonin e 4-t radhazi në Kategorinë e Parë, Apolonia duhet të kuptojë dhe pranojë se diçka po e bën gabim. Nuk mund të vazhdojë me kokëfortësi dhe mendjemadhësi sikur do të shpiki rrotën. Ne si dashamirës, unë si ish-futbollist dhe trajner kaq kemi në dorë, pra të japim mendimin tonë të lirë. Ndërsa ata që kanë në dorë organizimin dhe financimin kanë mendimet e tyre, me sa duket të ndryshme nga ne. Fakti që vlera e ekipit, si nga rëndësia e pjesëmarrjes në elitë, aty ku i takon dhe ku luhet futbolli mjaft cilësor, edhe nga aspekti financiar janë shumë larg dhe kjo është më se evidente dhe çdo njeri e konstaton shumë kollaj.

Kur mund të vijë kthesa e shumëpritur për ngjitjen e Apolonisë në Kategorinë Superiore?

Nuk është aq e vështirë për të krijuar një ekip pretendent për Superiore. Problemi qëndron se kjo është e lidhur dhe e varur drejtpërdrejt nga financat, që duhet të jenë të shëndosha. Përpos financave, duhet të kesh edhe një lloj dëshire për ekipin tënd që ta shikosh sa më lart dhe ta shikosh si krenari të punës tënde, si dhe një krenari e dashuri më të madhe për të gjithë komunitetit fierak. Ata në krye, drejtuesit, duhet të ngulisin njëherë e mirë në kokë që mbajtja e ekipit në këto nivele është falimentim financash, zhvlerësim i fanellës dhe gjithë aseteve të klubit.

Vegjetimi në këto nivele sjell gjithë të këqijat e mundshme, ndërsa suksesi në Superiore vëmendje, shkëlqim dhe financa. Modele suksesi ka plot, qoftë shqiptare apo të huaja. Formula është e thjeshtë: investim serioz dhe projekt ambicioz për të luajtur në nivele të larta. Suksesi nuk vjen kurrë rastësisht, por kur ka dëshirë, impenjim, investim dhe bashkëpunim i katër faktorëve kryesorë: presidenca, stafi drejtues, ekipi (lojtarët) dhe tifozët. Atëherë vjen suksesi dhe pikërisht nga ky suksesi përfitojnë dhe ndriçojnë te gjithë, çdo aset i klubit shkëlqen. Gjërat nuk janë aq të komplikuara kur është zemra dhe dëshira e madhe.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE “PANORAMA TV”











Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *