“Fatmirësisht vazhdon e njëjta përkrahje, po të shihni në buxhetin që ka kaluar, është miratuar shuma që është kërkuar, ndonëse nuk ka buxhet kushedi se sa, për ne është një ndihmesë e madhe, sepse aty financohen bursat e studentëve, ku gati 70 për qind e atyre mjete shkojnë për bursa, 30 për qind për bazën infrastrukturore, sepse edhe ata fëmijë që janë këtu – janë fëmijë të atyre taksapaguesve të këtij shteti”, tha rektori Abdylmenaf Bexheti
Urim HASIPI
Tetovë, 14 nëntor – Universiteti I Evropës Juglindore në Tetovë është ndër institucionet e rralla në vend që për vitin e ardhshëm nuk i është shkurtuar buxheti nga Qeveria. Ndonëse është universitet privat jo fitimprurës dhe menaxhohet me vetëfinancim, megjithatë një pjesë të buxhetit e merr nga Qeveria, kryesisht për financimin e bursave. Këtë e ka bërë të ditur rektori i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, Abdylmenaf Bexheti, i cili është shprehur i kënaqur me buxhetin për vitin e ardhshëm, shkruan gazeta KOHA.
“Fatmirësisht vazhdon e njëjta përkrahje, po të shihni në buxhetin që ka kaluar, është miratuar shuma që është kërkuar, ndonëse nuk ka buxhet kushedi se sa, për ne është një ndihmesë e madhe, sepse aty financohen bursat e studentëve, ku gati 70 për qind e atyre mjete shkojnë për bursa, 30 për qind për bazën infrastrukturore, sepse edhe ata fëmijë që janë këtu – janë fëmijë të atyre taksapaguesve të këtij shteti. Fatmirësisht, është i vetmi institucion që ka kaluar në Qeveri me buxhet aq sa ka qenë i propozuar. Në të gjitha institucionet, jo vetëm të arsimit të lartë, në të gjithë shfrytëzuesit buxhetor, ka shkurtime të mëdha. Që do të thotë se edhe ky rotacion politik që ka ndodhur, e ka pranuar këtë universitet me të gjitha specifikat. Mbetet universiteti në tre gjuhë, mbetet institucioni i vetëm me shumë veçori sa i përket tregut të punës, impaktin që ka në aspektin social, por mos harrojmë edhe për kujdesin që tregojmë për kulturën”, tha rektori Bexheti.
Veç kësaj, drejtuesit e Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë shprehen të kënaqur edhe këtë vit me numrin e studentëve të regjistruar. Ka një rritje prej 7 për qind, krahasuar me vitin e kaluar.
“Përndryshe, regjistrimi rezultoi me një rritje prej 7 për qind të numrit të studentëve në përgjithësi në programe të caktuara studimore, ku edhe nga aspekti i interesit, edhe nga aspekti i cilësisë edhe nga aspekti numerik – jemi shumë të kënaqur. Pavarësisht se si do të shkojë gjendja e arsimit të lartë, e cila varet nga arsimet paraprake që nuk është shumë e mirë, megjithatë jemi të kënaqur. Rritja më e madhe është në Fakultetin e shkencave shëndetësore, është rikthyer çuditërisht interesimi për Fakultetin ekonomik dhe të administrim-biznesit, është stabilizuar numri i studentëve në shkencat kompjuterike, me gjasë tregu i punës e jep mesazhin e vet, pra në njëfarë mënyrë është krijuar Fakulteti i Shkencave Teknike, janë tërhequr drejtimet tjera prej nga kemi formuar fakultet të ri të Politeknikut dhe tash universiteti ka shtatë Fakultete”, informoi Bexheti.
Rektori i UEJL-së është shprehur se gjenerata e re që është pranuar këtë vit akademik, është mjaft e përgatitur, pasi sipas tij, është një gjeneratë që nuk e ka kapur mësimi online gjatë pandemisë dhe rezultatet nga testet e para kanë qenë të mira. Bexheti kërkon që në të ardhmen, edhe programet studimore më shumë të fokusohen edhe nga Inteligjenca Artificiale, sepse siç tha ai, bota në këtë drejtim ecën me shpejtësi të madhe. (koha.mk)