Donald Trump pritet të zgjedhë senatorin amerikan, Marco Rubio, Sekretar shteti, kanë thënë burimet, duke e vënë politikanin e lindur në Florida në rrugën e duhur që të bëhet i pari hispanik që do të shërbejë si kryediplomat amerikan sapo presidenti i zgjedhur republikan të marrë detyrën në janar, ka raportuar Reuters më 12.11.2024.
Rubio gjatë viteve të kaluara ka mbrojtur një politikë të jashtme të sertë në lidhje me armiqtë gjeopolitikë të Amerikës, duke përfshirë Kinën, Iranin dhe Kubën.
Gjatë viteve të fundit ai ka zbutur disa nga qëndrimet për t’u lidhur më ngushtë me pikëpamjet e Trumpit. Presidenti i zgjedhur akuzon presidentët e kaluar të SHBA-së se e kanë udhëhequr Amerikën në luftëra të kushtueshme dhe të kota dhe ka qenë për një politikë të jashtme më të përmbajtur.
Megjithëse Trumpi gjithmonë mund të ndryshojë mendje në minutën e fundit, ai dukej se ishte vendosur në zgjedhjen e tij që nga e hëna, sipas burimeve, të cilët folën në kushte anonimiteti.
Përfaqësuesit e Trumpit dhe Rubios nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Administrata e re do të përballet me një botë më të paqëndrueshme dhe më të rrezikshme se sa ishte kur Trumpi mori detyrën në vitin 2017, me luftëra të ndezura në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme dhe me Kinën duke u lidhur më ngushtë me armiqtë e SHBA-së, Rusinë dhe Iranin.
Kriza e Ukrainës do të jetë kryesorja në agjendën e Rubios