Java e 13-të pati prob lematikën e saj sa i takon gjykimit. Më shumë raste të diskutueshme pati në Laç, ku Elbasanit i mungon një penallti. Teknologjia ka korrigjuar dy herë Emanuela Rustën në Tirana-Bylis.
DINAMO-PARTIZANI 1-2
GJYQTARË: E.Hamiti, R.Çokaj (Lezhë), I.Tartaraj (Fier) VAR: J.Xhaja (Tiranë), AVAR: D.Vrapi (Tiranë)
Derbi ishte një ndeshje që prodhoi raste të dyshimta për penallti, por në përgjithësi u menaxhua mirë nga kryesori Hamiti dhe ndihmësit e tij. Nuk u desh në asnjë moment ndërhyrja e teknologjisë.
11’ Partizani pretendon për penallti për një prekje të topit me dorë në zonë nga Dita. Gjyqtari vijon lojën dhe pret VAR-in, ku Xhaja konfirmon atë që dha kryesori në fushë. Nuk ka prekje të topit me dorë, vendim i drejtë i Hamitit.
14’ Aliji fut një top në zonë, që prek Bytyçin dhe dinamovitët pretendojnë për penallti për prekje me dorë, por gjyqtari me të drejtë vijon lojën. VAR-i në këtë rast nuk ndërhyn.
20’ Lorran fut topin në zonë që largohet nga Sembene dhe pretendohet prekje me dorë. Arbitri vijon lojën, ndërsa nuk ka ndërhyrje as nga sistemi VAR. Sembene e prek topin më bërryl, por është brenda cilindrit të trupit dhe konsiderohet korrekte.
63’ Mba shënon për Partizanin, por anësori akordon pozicion jashtë loje. Me të drejtë vijon aksioni deri në fund, por pozicioni është i dukshëm dhe konfirmohet nga sistemi VAR.
71’ Ka pretendime për penallti nga Partizani, pas një kontakti mes Rrapajt dhe Tolit. Hamiti lejon avantazhin për blutë, pasi është lojtari i kuq që shkel me taka Tolin, madje mungon një karton i verdhë për vlonjatin.
LAÇI-ELBASANI 1-1
GJYQTARË: K.Barjamaj, R.Zajimi (Tiranë), A.Topi (Patos); VAR: O.Yzeiraj (Patos)/ AVAR: I.Myrtja (Shkodër)
Laçi-Elbasani ishte një ndeshje me disa episode të dyshimta, me një penallti të akorduar nëpërmjet sistemit VAR në favor të Elbasanit. Por kanë qenë të paktën edhe dy raste të tjera, ku verdheblutë kanë pretenduar për 11- metërsh.
1′ Da Lima pengon Tsaguen në një dyluftim në zonë dhe kryesori vijon lojën. Një moment shumë i dyshimtë, pasi kontakti nuk mungon, ndonëse edhe VAR vazhdon lojën, duke lënë në fuqi vendimin e arbitrit në fushë. Penallti e padhënë për Elbasanin.
14′-17′ Kofi prek topin me dorë pas harkimit të Kasës. Fillimisht kryesori akordon goditje këndi, por pret konfirmimin e VAR-it dhe shkon ta shohë. Duket qartë prekja e topit me dorë dhe vendim i drejtë i kryesorit për akordimin e penalltisë.
31′ Lleshi ndërhyn me takë ndaj Ze Gomesh pranë zonës së rreptësisë. Kryesori akordon të verdhën, por ishte në limitet e kartonit të kuq, sepse kishte një shkelje me takë ndaj kundërshtarit.
75′ Godet Lajthia, Lleshi largon topin, ku edhe pse i ka duart e mbledhura duket se e devijon. Arbitri vijon lojën në një kohë që nuk ka ndërhyrje as nga sistemi VAR. Moment i dyshimtë, por arbitri e interpretoi si një prekje të pavullnetshme.
TIRANA-BYLISI 4-0
GJYQTARË: E.Rusta, E.Ganxhi (Elbasan), A.Zalla (Durrës); VAR: E.Jorgji (Elbasan), AVAR: A.Koçi (Durrës)
Në këtë ndeshje pati tre raste për të diskutueshme. Bëhet fjalë për një gol të anuluar, penalltinë e golit të parë dhe një rast të diskutueshëm. Gjykonte Rusta, të cilën e shpëton teknologjia, pasi dy vendime të paktën i dha gabim.
8’ Kros nga këndi dhe topi shkon te Përgjoni, i cili e çon në qendër, Dembele godet dhe shënon. Rusta akordon gol, miqtë protestojnë për prekje të topit me dorë nga Jonuzi. VAR-i anulon rrjetën, pasi pamjet konfirmojnë se Jonuzi me dorë devijon topin.
40-43’ Gjumsi në zonë merr një goditje në shpatull nga Gabriel. Rusta bën shenjë që loja të vazhdojë, pastaj ftohet nga VAR-i të shohë pamjet. I duhen pak sekonda që të ndryshojë vendim: penallti dhe karton i verdhë për Gabriel. Gabon Sërish Rusta, korrigjon sërish VAR-i.
45+2’ Pas një goditje këndi, Sulovari shtyn me trup në zonë Haxhiun, i cili rrëzohet. Rusta vazhdon lojën, pamjet tregojnë se ka një kontakt.
EGNATIA-VLLAZNIA 1-1
GJYQTARË: F.Lata (Durrës), E.Burgu (Fushë-Krujë), Xh.Mani (Tiranë); VAR: E.Bylykbashi (Elbasan), AVAR: O.Kuka (Tiranë)
Ndeshja mes Egnatias dhe Vllaznisë, e gjykuar nga kryesori Lata, nuk pati ndonjë rast flagrant për moviolë. Duhet veçuar fakti se bilbili “durrsak” lejoi dyluftimet e ashpra.
74’ Ka një goditje me bërryl të Ahmetajt ndaj Krymit, Lata akordon faull, por mungon kartoni i verdhë për lojtarin e rrogozhinasve.
TEUTA-SKËNDERBEU 1-1
GJYQTARË: K.Cjapi (Fier), A.Shkreta (Tiranë), M.Qose (Lushnjë); VAR: A.Beqiraj (Tiranë), AVAR: K.Prenga (Laç)
Në ndeshjen Teuta-Skënderbeu, e gjykuar nga Kreshnik Cjapi, ishin dy episodet e diskutueshme, golat e anuluar për skuadrën vendëse për pozicion jashtë loje. Pamjet flasin për vendime të drejta.
1-3’ Peposhi kroson në zonë dhe Lloci gjen golin. Pas 3 minutash pritje goli anulohet për pozicion jashtë loje. Vendim i drejtë.
90+1-90+3 Kotobelli realizon golin e dytë për Teutën pas një krosi të Krujës në zonë. Anësori ngre flamurin për pozicion jashtë loje dhe VARi i jep të drejtë. Lojtari i Teutës duket pak më i avancuar se mbrojtësit e Skënderbeut.
PANORAMASPORT.AL