January 10, 2025
22-00-REDAKT.116-vjetori-u-harrua-Manastiri.jpg


Edhe ky përvjetor e gjen institucionin nacional në një situatë të ngjashme, dy të punësuar (kustos, edukator), buxhet të vogël, kontestin e pazgjidhur pronësor…. Drejtori Zait Aliu thotë se ngjarja që mund të konsiderohet si më e madhe është konferenca “Zhvillimi i arsimit kombëtar dhe gjuha shqipe”, ndërsa sa i takon peshës së kësaj date për historinë dhe kulturën shqiptare, vëmendja shtetërore çdo vit sa vjen e bëhet më zhgënjyese

Evis HALILI

Shkup, 10 nëntor – Ekspozita, orë poetike, konferenca shkencore… janë këto disa nga aktivitetet me të cilat këtë vit do të shënohet përvjetori i 116-të i Kongresit të Manastirit. “Java e shkronjave”, që nis më 14 nëntor deri më 22 nëntor, kur përfundoi punimet Kongresi, është manifestimi tradicional që organizohet modestisht prej disa vitesh nga Muzeu i Manastirit, mbështetur nga Ministria e Kulturës. Megjithatë, edhe ky përvjetor e gjen institucionin nacional në një situatë të ngjashme, dy të punësuar (kustos, edukator), buxhet të vogël, kontestin e pazgjidhur pronësor….

Drejtori Zait Aliu thotë se ngjarja që mund të konsiderohet si më e madhe është konferenca “Zhvillimi i arsimit kombëtar dhe gjuha shqipe”, ndërsa sa i takon peshës së kësaj date për historinë dhe kulturën shqiptare, vëmendja shtetërore çdo vit sa vjen e bëhet më zhgënjyese. Madje, as këtë përvjetor, që festohet zyrtarisht edhe në Shqipëri. Zaiti shton se dy presidentë shqiptarë e kanë vizituar muzeun, por asnjëherë nga Ministria e Kulturës, shkruan gazeta KOHA.

Për një javë, në Manastir do të realizohen disa aktivitete, si ekspozitat “Botimet shqipe në Manastir 1909-1912”, “Dritë dhe Anatemi – fati i familjeve të Kongresit të Manastirit gjatë regjimit komunist…., si edhe konferenca ndërkombëtare “Zhvillimi i arsimit kombëtar dhe gjuha shqipe”, për t’u mbyllur me koncertin e ansamblit “Emin Duraku” në Qendrën për Kulturë të qytetit.

“Ky është Programi, të cilin mund ta bëjmë me ato mundësi që kemi. Por interesimi nuk është ai që ne presim. Indiferenca e qeverive në Shqipëri apo Kosovë është evidente. E njëjta edhe këtu. Asnjë titullar nga qeveria nuk kanë kontaktuar, si për pjesëmarrje, ashtu edhe për mbështetje, apo pjesëmarrje organizative. Do të duhej të ishte e kundërta, por gjërat e kanë të vështirë të ndryshojnë”, thotë Aliu. Muzeu i Alfabetit, për disa vite me radhë qëndroi i mbyllur, për shkak të zgjatjes së punimeve rikonstruktuese të objektit, por edhe problemeve me llogaritë e ngrira. Punësimi i të paktën edhe dy punonjësve, zgjerimi i aktivitetit dhe pasurimi me objekte autentike, hulumtimet…., janë çështjet e mbetura pezull për një kohë të gjatë.

“Muzeu duhet të funksionojë si i tillë, si institucion nacional, nuk mund të mjaftohemi me një kustos dhe edukator, duhet të jetë qendra e aktiviteteve për shqiptarët gjatë gjithë vitit”, thotë për KOHA drejtori Zait Aliu. 22 Nëntori, është festë zyrtare, por në vite – Shkupi mbetet kryeqendra e aktiviteteve, përfshirë dhënien e çmimit “22 Nëntori”. Këtë vit, edhe shteti shqiptar e miratoi “22 Nëntorin” si festë, duke ia shtuar kalendarit të festave zyrtare. Kongresi i Manastirit, që unifikoi alfabetin e gjuhës shqipe tuboi personalitete shqiptare në vitin 1908 në Manastir, në qendrën e atëhershme të Vilajetit për përcaktimin e alfabetit të gjuhës shqipe. (koha.mk)



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *