Materiali “Propozim për zgjedhje të anëtarëve të Këshillit për Prokurorë Publik të RMV-së”, është tërhequr nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut. Kjo është porosia që deputetët kanë marrë sonte. Tërheqja e këtij propozimi vjen pas reagimeve që pati BDI dhe paralajmërimet e Antikorrusionit për politizim të Këshillit të prokurorëve.
BDI reagoi se dy kandidatët për anëtarë në Këshillin e prokurorëve janë të përzier në politikë dhe njëri kishte bërë edhe disa shkelje tjera juridike.
“Bashkimi Demokratik për Integrim reagon ashpër ndaj tentativës për partizim brutal të gjyqësorit dhe të prokurorisë nëpërmjet të ndërhyrjeve partiake në këshillin e prokurorëve. Ardian Demiri, anëtar i Lëvizjes Demokratike, propozohet për anëtar të këshillit të prokurorëve. Kjo është e papranueshme dhe paraqet ndërhyrje flagrante partiake në organet gjyqësore dhe prokuroriale.
Deputetët nuk duhet të pranojnë partizim të këshillit të prokurorëve, ndërsa ftojmë shoqërinë civile, mediat dhe komuniteti ndërkombëtar që të reagojnë ndaj zgjedhjes së kandidatëve partiak për anëtarë të këshillit të prokurorëve. Bashkimi Europian ndjek prej së afërmi vendimet e qeverisë dhe kuvendit dhe këto veprime na largojnë nga Europa dhe vlerat europiane si dhe na rikthejnë tek shteti i kapur”, thuhej në reagimin e BDI-së.
Por partizimi nuk është problemi i vetëm i kësaj teme. Deputeti Salih Murat nga Fronti Europian ka zbuluar se edhe kandidati tjetër që është në garë e është propozuar nga Arben Taravari, është dashur të përjashtohet nga gara, sepse sipas deputetit i njëjti nuk ka plotësuar kushtet e kërkuara në konkurs. Thotë se nëse vërtetohen shkeljet, kandidati nga Haracina rezikon edhe përgjegjësi penalo-juridike.
“Nga të gjitha dokumentet e dorëzuara unë u fokusova tek listingu i dorëzuar nga kandidati për përvojën e punës, ku thuhet se i njëjti është dorëzuar me datë 15 dhe se i njëjti ka 14 vite, 10 muaj e disa ditë përvojë pune. Në ditën e përmbylljes së konkursit, kandidati nuk i ka plotësuar kriteret e nevojshme ligjore që është 15 vite përvojë pune. Gjithashtu, në dokumente shihet se me 31.10.2024, dorëzohet dokument i ri nga ku shihet se kandidati ka 15 vite përvojë pune. Mendoj se me këtë nuk janë respektuar normat ligjore. Nëse ka dyshime të bazuara se janë bërë këto vepra, shkelje, mund të mendohet edhe për veprime juridike”, tha Salih Murat.
Ndryshe, me 13 nëntor ishte planifikuar debat publik lidhur me propozim emërimet dhe përzgjedhjen e kandidatëve për Këshillin e Prokurorëve Publik, por siç raporton Klan Maqedoni, debati është anuluar.