Mançester Siti do të përballet sot me Brajtonin në kuadër të javës së 11-të të kampionatit anglez. Sfida do të startojë në orën 18:30 dhe në prag të kësaj përballjeje ka dhënë konferencën e zakonshme për shtyp edhe trajneri i “Qytetarëve”, Pep Guardiola.Ky i fundit u shpreh se nuk ka lajme të mira sa i përket lojtarëve të dëmtuar, ndërsa kërkon që skuadra të rikthehet te fitorja pas tre humbjeve radhazi që kanë shkaktuar jo pak pakënaqësi. “Nuk kam asnjë lajm të mirë”, tha Guardiola.
“Ne kemi në dispozicion të njëjtët lojtarë si në Lisbonë. Lojtarët që udhëtuan atje, janë edhe ata që do të udhëtojnë me ne ndaj Brajtonit.” I pyetur se si ndihej që Grealish u përzgjodh nga trajneri i Anglisë pavarësisht se nuk ishte i disponueshëm për Sitin, trajneri spanjoll u përgjigj: “Është një pyetje për trajnerin e Anglisë”. Mançester Siti do të kërkojë kundër “Pulëbardhave” të përfundojë një seri prej tri humbjesh radhazi përpara se të fillojë pushimi i ndeshjeve të kombëtareve. I pyetur nëse duhet të qetësojë lojtarët e tij, Pep tha: “Nuk mendoj kështu. Sigurisht që nuk jemi mësuar të luajmë tre ndeshje në tri kompeticione të ndryshme”.
Sa i përket humbjeve radhazi, Guardiola preferon të mos bëjë drama.
“Është futboll, ka ndodhur dhe herë tjetër. E dimë arsyen pse kemi pasur vështirësi, por mezi presim ndeshjen ndaj Brajtonit dhe të radhës pas pushimit ndërkombëtar. Pas ndeshjeve të kombëtareve, disa lojtarë do të kthehen më mirë dhe do të rikuperohen nga të gjitha problemet që kanë. Shpresoj që të zgjidhim çdo problem që kanë lojtarët gjatë kësaj kohe. Unë i njoh ata prej nëntë vitesh. Ata e kanë dëshmuar shumë herë se çfarë janë të aftë, kështu që nuk ndryshon mendimin që kam për ta. Ndonjëherë ndodh dhe ju duhet ta kuptoni këtë gjë”, tha ndër të tjera Pep Guardiola në prag të sfidës ndaj Brajtonit, duke i dalë në mbrojtje lojtarëve të tij.
Aktualisht Siti ndodhet në vendin e dytë në Permier Ligë, në kuotën e 23 pikëve, 2 më pak se Liverpuli kryesues. Në tri ndeshjet e fundit, “Qytetarët” janë mposhtur nga Sportig Lizbona, Totenhemi dhe Bërnmuthi. Kohët e fundit të besuarit e Guardiolës kanë qenë në qendër të kritikave për shkak të performancës së tyre.
PANORAMASPORT.AL