
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reagur sërish ndaj propozimeve të koalicionit VLEN për anëtarë në Këshillin e Prokurorëve.
BDI bashkangjitur me disa fotografi të Ardian Demirit dhe Vedat Salihit, thotë se të njejtët janë marrë me aktivitet partiak, ndaj nuk janë të denjë për tu emëruar në poste të tilla.
Partia e Ali Ahmetit në reagim ka shoqëruar fotografi të Demirit si anëtar i Lëvizjes Demokratike dhe deklaratën e Izet Mexhitit kur avokati nga Struga, Ardian Demiri, kishte kaluar në radhët e LD-së.
“Lëvizja Demokratike gjithnjë e më shumë po i pasuron radhët me kuadro tejet profesionale, të respektuara e të pastra. Nga sot Lëvizjes Demokratike ju bashkangjit avokati i mirënjohur nga Struga Ardian Demiri. Ardiani me vete sjell bagazh profesional thuajse 20 vjeçar në fushën e jurisprudencës dhe është mirë i njohur për opinionin e gjërë si një profesionist i dëshmuar. Në fakt Ardian Demiri do të jetë edhe koordinator i Lëvizjes Demokratike për Strugën”, kishte shkruar në Facebook në nëtor vitin e kaluar, Izet Mexhiti.
Reagimi i plotë i BDI-së:
Bashkimi Demokratik për Integrim denoncon tentativën e hapur të VREDI për ti mashtruar qytetarët dhe deputetët me kandidat partiak për anëtarë të Këshillit të Prokurorëve.
Për Ardian Demirin, fotografitë e bashkangjitura janë dëshmia më e vogël për aktivitetet e tija politike dhe partiake në Lëvizjen Demokratike të Izet Mexhitit.
Të gjitha paraqitjet publike të Demirit e bëjnë të pa denjë për të bartur një funksion kaq të rëndësishëm.
Ndërsa kandidati tjetër, gjithashtu anëtar dhe përkrahës i Vredi, Vedat Salihi, nuk i plotëson kushtet e përvojës së punës sipas ligjit dhe ka dorëzuar dokumente shtesë pas skadimit të konkursit.
Vredi-n nuk e intereson Europa, as sundimi ligjit, as reforma, por vetëm partizimi i gjyqësorit dhe institucioneve për t’ju shërbyer apetiteve të tyre korruptive.
BDI ka alarmuar deputetët, shoqërinë civile, mediat dhe komunitetin ndërkombëtar për mendësinë e drejtuesve të Vredi që të partizojnë gjyqësorin dhe prokurorinë me eksponent partiak.
“Shteti i kapur” nuk duhet të përsëritët asnjëherë dhe ftojmë Bashkimin Europian që të reagojë ndaj qeverisë pa legjitimitet etnik dhe kuvendit për këto veprime na largojnë nga Europa dhe vlerat europiane.