December 28, 2024
1111rryma-shtrenjtimi.jpg


Mund të ndodhë që borxhet e reja si dhe gropa e madhe prej mbi 60 milionë euro në arkën e ElektroEkonomisë së Maqedonisë të rrisin edhe çmimin e energjisë elektrike. Nëse shteti nuk ka prodhim të mjaftueshëm, ai duhet të importojë energji elektrike me çmim më të lartë në bursë, gjë që logjikisht e rrit çmimin për amvisëritë, thonë ekspertët

Fisnik PASHOLLI

Shkup, 7 tetor – Gjendja e rëndë në Termocentralin e Manastirit po përsëritet për gati çdo vit. Sezoni i ngrohjes për çdo sezon aktualizon sërish problemet me remontin në kapacitetet prodhuese të impiantit më të madh të rrymës në vend të vjetër më shumë se 40 vite si dhe gatishmërisë së të tre blloqeve të tij që të kënaqin furnizimin e rregullt të amvisërive me rrymë përgjatë dimrit.Menaxhmenti i ri i termocentalit të Manastirit ka paralajmëruar se termocentrali është në prag të kolapsit, remontet nuk kanë përfunduar, ndërsa menaxhmenti i mëparshëm po gërmonte pa plan në minierat e qymyrit. Problem shtesë janë borxhet e mëdha që qeveria do të bëjë plan si t’i mbulojë duke marrë hua nga bankat vendase. “Kapacitetet e prodhimit vendor nuk janë gati për dimër, nuk ka ujë për hidrocentralet, dhe as thëngjill cilësor për termocentralet”, thotë Zoran Konjanovski nga menaxhmenti i TEC Manastir.

Pritet që termocentrali këtë dimër të operojë me maksimum 2 blloqe, kurse qymyri që mungon do të importohet nga Greqia. Njëherësh edhe liqenet ku janë ndërtuar hidrocentralet janë pothuajse të zbrazëta , andaj autoritetet po luten për më shumë shi këtë vjeshtë. Mund të ndodhë që borxhet e reja si dhe gropa e madhe prej mbi 60 milionë euro në arkën e ElektroEkonomisë së Maqedonisë të rrisin edhe çmimin e energjisë elektrike.

EEM ka kohë që po përballet me probleme operative. Për të shitur energjinë elektrike për familjet me çmim më të ulët, kompania ka marrë para nga buxheti për disa kohë. Por këto mjete tanimë janë ndërprerë një kohë më të gjatë. Se a do të shtrenjtohen dhe për sa çmimi i rrymës nga termocentralet për këtë arsye, e kështu edhe energjia elektrike për amvisëritë do të ketë një pasqyrë më të qartë në muajin nëntor.

Autoritet thonë se nuk dëshiron shtrenjtim të rrymës, por pritet që këto gjëra të sqarohen pas një muaji. Në javën e ardhshme do të bëhet bilanci i energjisë.

“Ne i shohim kushtet, pra sa do të na mungojë energjia elektrike. Ne do të shikojmë të blejmë në një afat pak më të gjatë, gjegjësisht nuk do të blejmë energji një javë përpara sepse atëherë është vërtet shumë e shtrenjtë”, thotë ministrja e energjetikës Sonja Bozhinovska.

E pyetur nëse çmimi i prodhimit të energjisë elektrike nga EEM do të rritet nga 1 janari i vitit të ardhshëm, e me këtë edhe çmimi që paguajnë qytetarët, ajo tha se çmimi përfundimtar përbëhet nga disa inpute, duke përfshirë edhe çmimin e energjisë elektrike nga EEM.

“Do të punojmë për interesin më të mirë të qytetarëve. Askush nuk do të donte të kishte rritje të çmimit të rrymës, por këtu përfshihen edhe kostot nga MEPSO, pra nuk është vetëm çmimi i EEM-së. Ne do të diskutojmë çmimin dhe do të shohim se sa pë qind do të ofrohet. Siç e dini herën e kaluar qeveria e mëparshme ka ofruar 85 për qind, pastaj ne i kemi ofruar 15 për qind të tjera furnizuesit universal, kështu që në muajin nëntor do të sqarohen këto gjëra”, u shpreh Bozhinovska.

Sa i përket borxhit prej 60 milionë eurosh që ka bërë qeveria e kaluar ndaj EVN-së për shkak të mos pagesës së pjesës së subvencionuar të çmimit të energjisë elektrike për qytetarët në faturat e tyre, ajo tha se janë duke biseduar me EVN-në.

“Sapo na informuan për borxhin, janë në dijeni për gjendjen e buxhetit. Ata thanë se kjo nuk është diçka që duhet të kthehet për një apo dy vjet, që janë të gatshëm ta diskutojnë. Ata e dinë dhe janë të vetëdijshëm se do të jetë afatgjatë, që do të thotë se jo vetëm nga sektori energjetik do të mbledhim të gjitha borxhet e trashëguara dhe së bashku si Qeveri do të shohim se sa duhet financiarisht që të mund të kthehen borxhet. Megjithatë, buxheti është në gjendje të keqe dhe buxhetin për vitin e ardhshëm do ta bëjmë pikërisht tani. Pra, do të shohim se si do të përfundojë e gjithë kjo”, thekson Bozhinovska.

Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi javën e kaluar se dimri i ardhshëm do të jetë sfidues në fushën e energjetikës sepse pret rritje të çmimit të rrymës në bursat në Evropë për shkak të ngjarjeve në Ukrainë. Ai thotë se si shtet jemi të gatshëm dhe se do t’u përgjigjemi të gjitha sfidave. “Kam një ndjenjë që ky dimër do të jetë mjaft sfidues jo për shkak të temperaturave, por për shkak të situatës që po ndodh në Ukrainë ku sistemi elektrik është shkatërruar plotësisht dhe Ukraina po tërheq energji nga Evropa që do të thotë se kjo do të rrisë çmimin të energjisë elektrike në bursat në Evropë dhe do të zvogëlojë sasinë, prandaj duhet të jemi të gatshëm”, theksoi Mickoski, duke shtuar se pret një krizë energjetike në një farë kuptimi në Evropë.

Mickoski siguron se puna në EEM është normalizuar edhe pse kompania ka trashëguar një borxh prej pesë miliardë denarë dhe ka paralajmëruar se shumë shpejt do të ketë përgjegjësi për ata që e kanë lënë kompaninë në një gjendje të tillë.

“Të jeni të sigurt që funksionimi i kompanisë është normalizuar dhe do të ketë përgjegjësi për atë që ndodhi, por ne nuk do të bëjmë estradë dhe teatër prej saj. Shumë shpejt nga sot do të vihen në dukje personat që janë fajtorë për gjendjen në të cilën ka mbetur kompania”, tha Mickoski.

Por sa do të jetë çmimi i energjisë elektrike për amvisëritë do të varet kryesisht nga fakti nëse shteti do t’i sigurojë sasitë që i nevojiten EEM për t’ia shitur EVN Home. Çmimi i prodhimit të energjisë elektrike në vitin 2017 ka qenë 33 euro, ndërsa sot nga korriku është 133 euro.

ESM ia shet energjinë EVN Home me 60 euro për megavat orë për nevojat e ekonomive familjare dhe pjesërisht të bizneseve të vogla, ndërsa ekonomia e blen energjinë elektrike me një çmim në bursë që është dukshëm më i lartë dhe varion nga 100 në 120 euro në varësi të periudhës së ditës.

“Nëse shteti nuk ka prodhim të mjaftueshëm, shteti do të duhet të importojë energji elektrike me çmim më të lartë në bursë, gjë që logjikisht e rrit çmimin për amvisëritë”, thotë profesori Konstantin Dimitrov. Ne duhet të përballemi me të vërtetën. Nëse nuk prodhojmë mjaftueshëm, duhet të blejmë, zgjidhje të tretë nuk ka. ESM ka obligim që 60 për qind t’ia dorëzojë EVN-së për amvisëritë. Kjo energji subvencionohet nga shteti, por ne si qytetarë e paguajmë me kredi apo mjete tjera, thekson Dimitrov.

Ndryshe, përskaj çmimit të shitblerjes së rrymës që EVN e blen nga EEM, në çmimin final të energjisë elektrike që paguajnë amvisëritë marrin pjesë edhe harxhimet e kompanive energjetike që pranohen nga ana e rregullatorit ku Furnizuesi universal, EVN Home merr pjesë me 9.9 për qind, kurse “MEPSO”, apo transmetuesi i energjisë , ka pjesëmarrjen më të vogël me 4 për qind. Përveç kësaj, çmimi përfundimtar përfshin marzhin e kompanive të energjisë, koston e burimeve të rinovueshme, për energjinë e balancuar duke marrë parasysh rrymën e prodhuar ditën për shembull nga burimet e ripërtëritshme si dielli apo era dhe atë të prodhuar natën nga termocentralet dhe hidrocentralet si dhe importet nga tregu i lirë. Gjithashtu vendi në mesatare në vitet e kaluara ka importuar 30 për qind të nevojave për rrymë, ndërsa ato diktohen edhe nga sezoni i dimrit me temperatura më të ulëta apo dimrit me temperatura mbi mesataren. (koha.mk)



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *