October 6, 2024

Regjistrimet në UT: 1800 studentë në vit të parë

0


“Ndjehemi krenar dhe të motivuar për arsye se edhe në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, ku shumica e institucioneve kanë vështirësi, ne kemi kandidat mjaft, të mos flasim për shkencat shoqërore, sidomos në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, ku interesimi është i jashtëzakonshëm. Në afatin e parë dhe të dytë kemi afër 1800 kandidatë, të cilët sapo janë regjistruar”, tregon rektori i UT-së, Jusuf Zejneli

Urim HASIPI

Tetovë, 17 shtator – Drejtuesit e Universitetit të Tetovës janë të kënaqur me interesimin e maturantëve për t’u regjistruar në këtë universitet. Në këtë universitet, afati i tretë i regjistrimeve është më 23 dhe 24 shtator. Rektori i Universitetit të Tetovës, Jusuf Zejneli thotë se është i kënaqur me numrin e studentëve të regjistruar në vit të parë, ndërsa theksin e vendos edhe në rritjen e interesimit për t’u regjistruar në drejtimet shkencore, siç është Matematika, Fizika, Kimia… drejtime këto që kohëve të fundit kanë pasur numër deficitar të studentëve. Zejneli shprehet se numri i atyre që janë regjistruar në dy afatet e kaluara është shumë i lartë.

“Ndjehemi krenar dhe të motivuar për arsye se edhe në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, ku shumica e institucioneve kanë vështirësi, ne kemi kandidat mjaft, të mos flasim për shkencat shoqërore, sidomos në Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë, ku interesimi është i jashtëzakonshëm. Në afatin e parë dhe të dytë kemi afër 1800 kandidatë, të cilët sapo janë regjistruar. Apelojmë që ata që ende nuk janë regjistruar në asnjë universitet, të drejtohen në universitetin tonë”, deklaroi rektori Zejneli. Deri më tani është bërë praktikë që shumica e të rinjve të drejtohen në Fakultetin e Juridikut dhe Ekonomisë, kurse më pak të drejtohen në drejtime tjera. Këtë vit në Universitetin e Tetovës është hapur edhe një drejtim i ri, Kozmetikë-Estetikë dhe autoritetet e Universitetit të Tetovës presin që drejtimet profesionale të jenë më atraktive në të ardhmen.

“Këtë vit kemi programin e ri, për shembull Kozmetikë-Estetikë, ku kemi një numër të madh të kandidatëve të regjistruar, edhe në drejtimin e Matematikës kemi shumë kandidat, të mos flasim për Informatikën, ku nuk e di se a do të mund të pranojmë të gjithë kandidatët e interesuar. Edhe në Shkencat e Zbatuara jemi mjaft mirë. Prandaj, është pozitive se shumë të rinj janë drejtuar në drejtimin e Matematikës ku shumë institucione kanë mungesë të kuadrit”, tha rektori i Universitetit të Tetovës.

Ndërkohë, nga ky universitet theksojnë se janë shumë arsye se pse të rinjtë zgjedhin këtë universitet për të studiuar. Infrastruktura dhe shërbimet ndaj studentëve janë ndër kushtet elementare që ofrohen në këtë universitet. “Administrata është mjaft efikase, lidhur me shërbimet ato janë cilësore, çdo dokument studenti mund ta merr përmes sistemit online, nuk ka nevojë që studenti të lodhet dhe të humb kohë. Infrastruktura është e mirë, kemi bashkëpunim me të gjitha institucionet e vendit ku përfshihet pjesa e mësimit praktik, klinik, poashtu jemi pjesë e programës Erasmus Plus, jemi të përfshirë në bashkëpunim me universitetet e SHBA-ve. Këto dhe shumë risi e bëjnë universitetin tonë të devotshëm për të studiuar”, nënvizoi Zejneli.

Ndërkaq, autoritetet e Universitetit të Tetovës shpresojnë se shteti do të gjejë forma dhe mënyra për të financuar edhe një bibliotekë të madhe universitare, një kërkesë e kamotshme e këtij universiteti. Krahas kësaj, kërkesë mbetet edhe ndërtimi i një objekti për Fakultetet e Shkencave Mjekësore. (koha.mk)



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *