Tirana do të presë Elbasanin sonte në orën 19:00 në Air Albania për të luajtur ndeshjen e javës së 5-të të Superiores. Bardheblutë synojnë të marrin fitoren e parë pas 4 barazimeve rradhazi dhe rikthimi në shtëpi pritet si shenjë pozitive për ta. Kështu shprehet edhe trajneri Bledi Shkëmbi në konferencën për shtyp:
“Mendojmë dhe shpresojmë shumë që do të fitojmë. Vijmë pas katër barazimeve, do donim të kishim ndonjë pikë më shumë, e meritojmë të kishim më shumë, por jemi para një fakti konkret që duhet të bëjmë më shumë.
Nuk e shikoj skuadrën në ngërç psikologjik, nuk i shikoj lojtarët në një situatë të tillë. Gjithsesi nga ndeshja e fundi, si unë ashtu dhe lojtarët kemi bërë edhe analizën e nuk jemi të kënaqur.
Elbasani është një skuadër e fortë, një skuadër e mirë. E kam parë me vëmendje, e kemi analizuar. Është një skuadër për tu vlerësuar.
Mendoj se ky klub, kjo skuadër meriton të luajë në atë stadium ku do të luajë. Patjetër që ne e shikojmë si shtëpinë tonë”.