October 6, 2024

Duka mesazh qytetarëve: “Ky vend ka nevojë të shkulë këtë sistem që i shërben vjedhjes, bashkë për të marrë përgjegjësitë tona”

0


Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste (PAA), Agron Duka ka ndarë një mezash për të gjithë qytetarët në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Duka shkruan se vendi ynë ka nevojë të gjenerojë personazhe të reja në hierarkinë udheheqëse qeveritare, në mënyrë që vendi ynë të bëjë progres.

Ai thotë se “duhet të marrim përsipër përgjegjësitë tona, si politikanë të përgjegjshëm”, teksa rendit të gjithë problemet me të cilat haset vendi ynë.

Mesazhi i plotë

Një ftesë për të gjithë opozitarët!

Mesazh publik nga kryetari i PAA, Agron Duka

Të dashur miq e kolegë!

Ky vit politik është shumë i rëndësishëm për shqiptarët dhe Shqipërinë. Zgjedhjet e vitit 2025 janë të rëndësishme po aq sa ato të vitit 1992, kur për herë të parë, pas gjysmë shekulli, drejtimin e vendit e mori një forcë tjetër politike.

Socialistët në pushtet, si asnjëherë në vitet postkomuniste, qëndruan në pushtet 3 mandate dhe po luftojnë “me çdo mjet e çmim” për të marrë mandatin e katërt.

Opozita, si asnjëherë këto 34 vjet, është e ndarë në shumë pjesë.

Ne të gjithë jemi koshientë se sa shumë ka degraduar pushteti i gjatë i socialistëve në korrupsion dhe inkriminim.

Demokracia jonë e brishtë, që gjithmonë është klasifikuar si hibride, tani nuk dihet më se çfarë emri mund të ketë. Pasi manipulimi i zgjedhjeve dhe deformimi i votës tashmë nuk synohet thjeshtë përmes dhunës dhe parasë, por më së shumti përmes ligjit.

Parlamenti ekzistues dëshmoi se është degraduar fatalisht, duke u vënë në shërbim të korrupsionit. Sa e sa ligje janë miratuar vetëm për interes të një biznesi apo grupe biznesesh? Janë miratuar madje edhe ligje e vendime, që ti mundësojnë edhe një politikani të vetëm të hipotekojë prona që nuk i takojnë.

Nuk ka çfarë të korruptohet më shumë sesa ligjvënësi!

Në vend që të jetë garancia e kontrollit të ekzekutivit, ligjvënësi është shndërruar në noterin e hajdutërive të ekzekutivit.

Ky vend sot nuk ka nevojë thjeshtë të ndërrojë kabinetin qeveritar!

Nuk ka nevojë të ndërrojë kryeministrin, ministrat dhe një dyzinë drejtorësh.

Ky vend ka nevojë të shkulë, të çmontojë, shkallmojë një sistem, një mekanizëm të tërë ligjor e administrativ që i shërben grabitjes së pasurisë dhe taksave të qytetarëve. Ligjet dhe mekanizmat e PPP-ve, koncesioneve, investitorëve strategjikë, investitorëve që regjistrohen në off-shorë, etj etj, janë sot vrimat e zeza që përthithin pronat, pasuritë kombëtare, taksat e qytetarëve dhe bashkë me to, edhe shpresën e tyre.

Kjo ka bërë që qytetarët të vazhdojnë të ikin. Numri i lindjeve bie, numri i nxënësve bie, numri i studentëve bie, numri i të moshuarve rritet.

Numri i lopëve, deleve e dhive bie. Sipërfaqja e tokës që mbillet dhe rendimenti i prodhimeve bien…

Në zgjedhjet e vitit 2025, nuk është thjeshtë në garë për të marrë pushtetin, por është një garë për të shpëtuar vendin.

Ndaj, ne duhet të marrim përsipër përgjegjësitë tona, si politikanë të përgjegjshëm. Ne jemi të vetëdijshëm se nuk kemi përpara një parti rivale, por kemi përballë tërë shtetin dhe pushtetin, me të gjitha mekanizmat dhe aset e tij. Kemi përballë edhe krimin e rrugës, edhe paratë e krimit të organizuar. Për këtë arsye, ne duhet të gjemë forcë dhe të shkelim mbi inatet dhe dasitë e vogla politike.

Duhet të bashkohemi!

Ne duhet të dalim para njerëzve me një ofertë më të mirë qeverisëse, për të marrë besimin e tyre. Vetëm me votë masive ne mund të fitojmë edhe mbi manipulimet që prodhon ligji dhe makineria ekonomiko-financiare e pushtetit.



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *