Letra e Besit për pjesmarrjen në protestë do ju emocionojë
2
Aktori dhe këngëtari, Bes Kallaku, ka bërë një reagim mjaft të sinqertë në llogarinë e tij në Instagram, duke u kthyer përgjigje të gjithë atyre që e kanë kritikuar apo pyetur mbi rrethanat e pjesëmarrjes së tij në protestat e fundit qytetare.
Përmes një letre, Besi ka sqaruar pozicionin e tij dhe arsyet se pse ka zgjedhur të jetë në shesh krah njerëzve të thjeshtë.
Aktori ka nisur reagimin e tij duke cituar pyetjet skeptike që i janë bërë së fundmi: “Po ti pse del në protestë? Ti je mirë.”, duke shtuar se ka edhe nga ata që e akuzojnë se e bën këtë gjest thjesht për vëmendje apo për të marrë më shumë ndjekës në rrjetet sociale.
Besi i ka hedhur poshtë menjëherë këto aludime, duke theksuar se nuk ka nevojë për vëmendje të tillë pasi gëzon mbështetjen e 1.2 milion njerëzve që e kanë besuar dhe duartrokitur si në ditët e tij më të mira, ashtu edhe kur ka prekur fundin.
Më tej, ai ka sqaruar se motivi i tij i vetëm është lidhja e fortë me vendin dhe njerëzit e tij.
“Unë dal sepse jetoj në këtë vend. Dal sepse këtu jetojnë familjarët e mi, miqtë e mi, njerëzit e mi. Dal sepse prej vitesh shoh të njëjtat plagë, të njëjtat probleme dhe të njëjtën lodhje në sytë e njerëzve”, shkruan aktori, duke bërë të qartë se nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj realitetit shqiptar.
Besi nuk ka ngurruar të prekë edhe marrëdhënien e tij me politikën, duke deklaruar prerazi se nuk i detyrohet asgjë asnjë pale politike. Përkundrazi, ai rrëfen se shoqërimi apo miqësia me njerëz të politikës i ka kushtuar shtrenjtë në jetë. “Nuk kam perfituar kurre nga askush. Perfundrazi, kam paguar kosto nga te qenit mik i njerit apo i tjetrit ne politike. Kosto qe i mbaj ende mbi supe, si baltosja me e madhe qe mund t’i behet nje njeriu”, shprehet ai me nota zhgënjimi.
Në mbyllje të letrës së tij, Bes Kallaku ka theksuar se pikërisht statusi i tij si artist e detyron moralisht të mos heshtë përpara shqetësimeve qytetare (ku komentuesit në rrjetet e tij sociale specifikojnë ndjeshmërinë e madhe ndaj kauzave mjedisore si ajo për Zvërnecin dhe Nartën). Ai e përfundon mesazhin e tij duke thënë se arti e ka mësuar të jetë pranë njerëzve që e bënë këtë që është sot, dhe se po të zgjidhte heshtjen, do të humbiste shumë më tepër nga vetvetja sesa çdo gjë që mund të fitonte nga konformizmi.