“Jam në rrugë… kam të drejtën time” – ekskluzivet
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm fshatin Mengël në Elbasan, ku një fëmijë vetëm 7 vjeç ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet.
Sipas informacioneve paraprake, automjeti drejtohej nga një 61-vjeçar i identifikuar me inicialet P.B., ndërsa përplasja rezultoi fatale për të miturin.
Pas ngjarjes, një banor i zonës ka folur për mediat, duke treguar se drejtuesi i mjetit pretendonte se po lëvizte me shpejtësi shumë të ulët në momentin e aksidentit.
“Tha se ishte duke ecur me 10 km në orë. Tha: ‘Jam duke ecur në rrugë nacionale, kam të drejtën time, isha me 10 km/h’”, është shprehur dëshmitari.
Banorët e zonës kanë ngritur shqetësimin se segmenti ku ndodhi aksidenti konsiderohet prej kohësh problematik dhe i rrezikshëm për këmbësorët.
Sipas tyre, në këtë rrugë kanë ndodhur edhe më parë aksidente, ndërsa kërkojnë masa urgjente për rritjen e sigurisë dhe parandalimin e tragjedive të tjera.
Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të përcaktuar përgjegjësitë lidhur me ngjarjen e rëndë që i mori jetën vogëlushit 7-vjeçar.