“Jam i thyer në 2000 copa” – Gjesti rrëfen për herë të parë dhimbjen pas humbjes së vëllait (VIDEO) – ekskluzivet
Pas muajsh të mbushur me dhimbje, humbje dhe polemika, Gjesti ka vendosur të flasë hapur për gjendjen e tij emocionale dhe periudhën më të vështirë të jetës së tij.
Fituesi i Big Brother VIP Albania ka dhënë intervistën e tij të parë televizive pas tragjedisë që tronditi familjen e tij, humbjes së vëllait të vogël në një aksident rrugor.
Artisti tregoi se kjo ngjarje e ka ndryshuar plotësisht si njeri dhe se sot e sheh jetën me një tjetër këndvështrim.
“Kam ndryshuar shumë si njeri, tashmë mendoj ndryshe dhe sillem ndryshe. Sot je, nesër s’je,” – u shpreh ai.
Megjithëse para publikut përpiqet të ruajë buzëqeshjen dhe energjinë që e karakterizon, Gjesti pranoi se brenda vetes po kalon një betejë të vështirë emocionale.
“Jam i thyer në 2,000 copa, vuaj ende nga ankthi dhe qaj çdo natë. Më dridhet trupi gjithë natën deri në mëngjes,” – rrëfeu këngëtari.
Ai foli edhe për suksesin profesional dhe të ardhurat që ka siguruar nga koncertet dhe projektet muzikore pas famës së madhe që mori.
Megjithatë, sipas tij, as paratë dhe as suksesi nuk kanë mundur të mbushin boshllëkun që la pas humbja e të vëllait.
“Kur i kam parë paratë, thjesht jam ndjerë bosh dhe kam kuptuar se paraja nuk të bën të lumtur,” – tha ai.
Rrëfimi i sinqertë i artistit ka prekur mijëra ndjekës në rrjetet sociale, të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre dhe kanë vlerësuar guximin e tij për të folur hapur mbi ankthin, dhimbjen dhe sfidat emocionale që po përjeton.