Historia Frymëzuese e Pajtime Ademit dhe BT Studio në Zvicër
1
Në mesin e shumë historive frymëzuese të diasporës shqiptare në Zvicër, historia e Pajtime Ademi veçohet për forcën, sakrificën dhe dashurinë e pafund për familjen. Sot ajo është pronare e BT Studio në Lyssach të Bernit, një studio moderne bukurie që është kthyer në adresë të besimit dhe përkushtimit për shumë kliente shqiptare dhe zvicerane.
35 vjeçarja, nënë e dy djemve, ka rrënjë nga një fshat i Podujevës, ndërsa historia e familjes së saj në Zvicër nis shumë herët. Babai i saj kishte emigruar atje që në vitin 1980, duke sakrifikuar gjithçka për një jetë më të mirë për familjen. Pajtimja ka lindur dhe është rritur në Zvicër gjatë viteve ’90, ku përfundoi shkollimin për administratë dhe për vite të tëra punoi në profesionin e saj në zyrë. Por jeta e saj ndryshoi tërësisht pas humbjes së babait, personit që ajo e quan “krahu im i djathtë”.

Si nënë vetushqyese, ajo u përball me një periudhë shumë të vështirë, ku duhej të menaxhonte jetën, punën dhe rritjen e fëmijëve pa mbështetjen e njeriut që e kishte ndihmuar më së shumti. Pikërisht në atë periudhë lindi edhe vendimi më i rëndësishëm i jetës së saj: të krijonte diçka të vetën, një profesion që do t’i jepte më shumë liri, kohë për fëmijët dhe mundësi për të ndërtuar të ardhmen që ëndërronte.

Kështu nisi rrugëtimi i BT Studio, jo thjesht si biznes, por si një ëndërr e ndërtuar me shumë sakrificë, guxim dhe dashuri për familjen. Ajo filloi nga shtëpia, duke investuar çdo frang në veten dhe profesionin e saj, derisa arriti të hapte lokalin e saj të parë. Edhe emri “BT” ka një kuptim krejt të veçantë, pasi vjen nga emrat e dy djemve të saj, Butrint dhe Trim, arsyeja pse ajo lufton çdo ditë.

Rruga drejt suksesit nuk ka qenë aspak e lehtë. Të fillosh nga zeroja si grua shqiptare në diasporë, pa famë dhe pa mbështetje të madhe financiare, kërkon shumë forcë dhe besim në vetvete. Megjithatë, Pajtimja nuk u dorëzua kurrë. Përkrahja më e madhe për të kanë qenë familjarët e saj, nana, mami, motra dhe vëllezërit, të cilët i kanë qëndruar pranë në çdo hap.

Sot, BT Studio është shumë më tepër se një studio bukurie. Është një ambient ku bukuria, qetësia dhe vetëbesimi bashkohen në një. Studio ofron trajtime moderne dhe profesionale si Microneedling, BB Glow, Lash & Brow Lifting, Waxing, qerpikë dhe nails, ndërsa trajtimet më të kërkuara nga klientet mbeten Microneedling dhe Lash Lifting – shërbime që fokusohen te pamja natyrale dhe kujdesi i shëndetshëm për lëkurën.
Por ajo që e bën vërtet të veçantë BT Studio nuk janë vetëm trajtimet moderne apo produktet premium që përdoren. Janë dashuria, përkushtimi dhe mënyra se si çdo kliente trajtohet me kujdes dhe zemër. Për Pajtimen, besimi i klienteve vlen më shumë se çdo fitim financiar. Ajo punon vetëm me produkte profesionale high quality, sepse synimi i saj është që çdo grua që hyn në studio të largohet e lumtur, e kënaqur dhe më e sigurt në veten e saj.

Historia e saj është edhe një mesazh i fortë për çdo vajzë dhe grua shqiptare që ka frikë të nisë diçka nga fillimi. Pajtimja kujton gjithmonë fjalët e babait të saj, i cili i thoshte se njeriun nuk e bën paraja, por puna, karakteri dhe respekti që lë te njerëzit. Edhe pse ai vetë nuk arriti ta hapte biznesin e tij, sakrifica e tij bëri që sot dhjetëra anëtarë të familjes së tyre të jetojnë dhe të ndërtojnë jetën në Zvicër.
Dhe ndoshta pikërisht aty qëndron sekreti i suksesit të saj, te puna e ndershme, te përkushtimi dhe te guximi për të mos u dorëzuar kurrë. Sepse, siç thotë edhe vetë Pajtimja: “Edhe ëndrrat më të mëdha fillojnë me një hap të vogël.”
