Gjykata Themelore në Prishtinë i cakton Gjestit 30 ditë paraburgim
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar 30 ditë paraburgim Gjestit, i cili dyshohet për tri vepra penale.
Sipas njoftimit të gjykatës, masa e paraburgimit është caktuar ndaj të pandehurit B.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: kanosja, asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë, si dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
Në njoftimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë thuhet se gjyqtarja e procedurës paraprake, pas dëgjimit të palëve dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e paraburgimit është e bazuar.
Për këtë arsye, është aprovuar kërkesa e Prokurorisë dhe të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Gjykata ka vlerësuar se kjo masë është e nevojshme për shkak të rrezikut të ikjes, rrezikut të ndikimit në dëshmitarë si dhe mundësisë së përsëritjes së veprës penale, duke konsideruar se paraburgimi është masa më e përshtatshme për zhvillimin e papenguar të procedurës penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.