November 25, 2024
3333REDAKT.Mungesa-e-sinjalistikes-po-rrezikon-qytetarett-1.jpg


Një shembull i tillë është fshati Llopat i Kumanovës, ku sinjalistika hekurudhore është në gjendje të keqe dhe nuk ofron siguri për kalimtarët dhe përdoruesit e hekurudhës. Ky problem nuk është i izoluar, pasi raste të ngjashme janë të pranishme edhe në fshatra dhe qytete të tjera

Anëmsha SHABANI

Shkup, 24 nëntor – Zhvillimi i infrastrukturës është një prioritet i shpallur nga Qeveria, ku ndërtimi i korridoreve të reja është një prej projekteve kryesore. Megjithatë, përkundër këtyre ambicieve, shumë aspekte të infrastrukturës ekzistuese, veçanërisht në sektorin hekurudhor, ende nuk janë në nivelin e duhur. Një nga shqetësimet kryesore është gjendja e sinjalistikës dhe sigurisë në hekurudha, ku shumë vendbanime po përballen me mungesë funksionimi të sinjalistikës, si dhe mungesës së traut duke krijuar rreziqe të mëdha për jetën e qytetarëve.

Një shembull i tillë është fshati Llopat i Kumanovës, ku sinjalistika hekurudhore është në gjendje të keqe dhe nuk ofron siguri për kalimtarët dhe përdoruesit e hekurudhës. Ky problem nuk është i izoluar, pasi raste të ngjashme janë të pranishme edhe në fshatra dhe qytete të tjera. Ky “konflikt” mes ambicieve për përmirësimin e infrastrukturës dhe realitetit të përditshëm tregon nevojën urgjente për reforma dhe investime të thelluara në sigurinë hekurudhore, për të parandaluar tragjedi dhe për të garantuar një transport më të sigurt për të gjithë qytetarët.

Për këtë, inxhinieri Ajet Ajredini për gazetën KOHA thotë se rreziku është i lartë për kalimtarët dhe për shoferët, që nuk janë gjithmonë të informuar për kalimin e trenave ose për mundësitë e ndalimit të sigurt.

“Siguria në komunikacion është një çështje shumë e rëndësishme, veçanërisht aty ku ndeshen transporti hekurudhor dhe ai rrugor. Kemi vërejtur shpeshherë mungesë të sinjalistikës dhe të mbrojtjes adekuate në ato vende ku kalojnë këto dy lloje transporti. Kjo ka krijuar kushte të rrezikshme për qytetarët, duke përfshirë raste të rënda aksidentesh, disa prej të cilave kanë përfunduar edhe me fatkeqësi tragjike. Rreziku është evident, pasi shumë kalimtarë dhe shoferë nuk janë të informuar saktë për kalimin e trenave ose për mundësitë e ndalimit të sigurt, çka e bën të vështirë lëvizjen e sigurt”, tha Ajredini, ndërsa u bën thirrje institucioneve të ndërmarrin masa urgjente për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

“Për të parandaluar këto rreziqe, institucionet shtetërore duhet të ndërmarrin veprime urgjente. E para, është e nevojshme të bëhet një inventarizim i të gjitha kalimeve hekurudhore dhe të sigurohen që ato të jenë të sinjalizuara dhe të mbrojtura siç duhet, përfshirë barrierat dhe semaforët, në mënyrë që të parandalohet kalimi i automjeteve dhe njerëzve gjatë kalimit të trenave. Po ashtu, autoritetet duhet të investojnë në modernizimin e infrastrukturës hekurudhore dhe rrugore, si dhe të sigurojnë që të gjitha rrugët dhe hekurudhat të jenë të përshtatshme dhe të sigurt për përdorim. Siguria është çështje jetike dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe koordinim të ngushtë midis të gjitha institucioneve përgjegjëse”, nënvizoi ai.

Edhe në fshatin Rramanli të Komunës së Kumanovës, si pasoj e mungesës së traut dhe mos-funksionimit të dritave sinjalizuese, çdo vit ndodhin aksidente, që i shkakton banorëve dëmtime të rënda e shpesh edhe vdekje. Mirëpo, pavarësisht se autoritetet e kanë fatin e qytetarëve në dorë, ata përsëri nuk u kushtojnë fare rëndësi, duke i lënë pas dore për vite me radhë. (koha.mk)



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *