“Titujt ndryshojnë, por ajo që mbetet është gjurma që lë pas”

July 4, 2026


Nga bota e biznesit në Zvicër, ku ka ndërtuar një karrierë të suksesshme dhe kompani të bazuara në inovacion e teknologji, deri te angazhimi i tij në jetën publike dhe politike, Nderim Mustafa përfaqëson profilin e një sipërmarrësi që beson se përvoja duhet të shndërrohet në kontribut për vendin.

Me rrënjë të forta në Gjilan dhe një rrugëtim të ndërtuar mbi disiplinën, përgjegjësinë dhe këmbënguljen, ai flet për sfidat e suksesit, vlerat që e kanë formësuar, raportin me diasporën, investimet dhe vizionin për Kosovën. Në këtë intervistë, Mustafa ndan reflektime personale dhe profesionale, duke treguar se, përtej çdo titulli, synimi i tij mbetet të lërë një ndikim që i reziston kohës.

Shumë ju njohin si afarist të suksesshëm në Zvicër, por kush është Nderim Mustafa larg kostumit të biznesit?

Larg biznesit jam një njeri i thjeshtë, i përkushtuar ndaj familjes dhe vlerave me të cilat jam rritur. Më pëlqen të kaloj kohë me fëmijët, të mësoj vazhdimisht dhe të punoj në ide të reja. Besoj se suksesi nuk matet vetëm me atë që ndërton në biznes, por edhe me mënyrën se si sillesh me njerëzit dhe me gjurmën që lë pas. Mundohem të mbetem i njëjti njeri, pavarësisht përgjegjësive apo arritjeve.

Nëse do t’ju duhej ta përshkruanit jetën tuaj me vetëm tre fjalë, cilat do të ishin dhe pse?

Disiplinë, përgjegjësi dhe këmbëngulje. Disiplina më ka ndihmuar të ndërtoj çdo gjë nga fillimi. Përgjegjësia më ka mbajtur gjithmonë korrekt ndaj njerëzve. Këmbëngulja më ka bërë të mos dorëzohem edhe kur gjërat kanë qenë të vështira.

Cili ka qenë momenti kur e kuptuat se nuk dëshironit vetëm të punonit për sukses, por ta ndërtonit atë vetë?

Kur kuptova se mund të krijoja vende pune dhe produkte që sjellin vlerë për të tjerët. Aty e kuptova se nuk doja vetëm një karrierë, por të ndërtoja kompani që vazhdojnë të rriten edhe në të ardhmen.

Çfarë ju ka mësuar diaspora zvicerane që mendoni se Kosovës i mungon ende?

Respektin për rregullin, planifikimin afatgjatë dhe besimin te institucionet. Në Zvicër, fjala, kontrata dhe ligji kanë peshë. Sa më shumë t’i forcojmë këto në Kosovë, aq më shumë investime dhe zhvillim do të kemi.

Pas shumë vitesh në biznes, pse vendosët të hyni në politikë pikërisht tani dhe jo më herët?

Sepse mendova se kisha fituar përvojën e duhur. Nuk doja të hyja në politikë vetëm për të kritikuar, por për të sjellë ide që i kam parë të funksionojnë në praktikë. Besoj se biznesi dhe përvoja ndërkombëtare mund t’i shërbejnë Kosovës.

A ka pasur njerëz që ju kanë thënë se politika mund ta zbehte imazhin tuaj si biznesmen? Si u përgjigjeni atyre?

Po, ka pasur. U kam thënë se nuk kam hyrë në politikë për të ndërtuar imazh, sepse atë e kam ndërtuar prej vitesh me punë. Në politikë hyra sepse besoj se përvoja në biznes mund të shërbejë për të sjellë ide dhe zgjidhje konkrete. Nëse njerëzit me përvojë qëndrojnë gjithmonë jashtë politikës, atëherë nuk duhet të presim që gjërat të ndryshojnë vetvetiu.

Cili është investimi më i vlefshëm në jetën tuaj?

Investimi më i vlefshëm për mua ka qenë investimi në teknologji dhe inovacion. Kam zgjedhur të ndërtoj produkte që kërkojnë kohë, kapital dhe durim, sepse besoj se vlera krijohet kur ndërton diçka që zgjidh probleme dhe mbetet edhe në të ardhmen.

Kur ktheheni në Gjilan, çfarë ndjesie ju zgjon vendlindja dhe cili është kujtimi që nuk ju largohet kurrë?

Gjilani më kujton fëmijërinë, familjen dhe rrënjët e mia. Është vendi ku kam mësuar vlerat e para. Pavarësisht se jetoj prej vitesh në Zvicër, çdo kthim në Gjilan më kujton se nga kam ardhur.

Në biznes flitet shumë për fitimin. Për ju, çfarë do të thotë të jesh i suksesshëm përtej bilancit financiar?

Të krijosh diçka që mbetet edhe pas teje. Të krijosh vende pune, të ndihmosh njerëzit të zhvillohen dhe të fitosh respekt. Kjo ka më shumë vlerë se çdo bilanc financiar.

Nëse nesër do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë në Kosovë, pa kufizime, cila do të ishte?

Do të krijoja një sistem ku investitori trajtohet me shpejtësi, siguri juridike dhe transparencë. Kur vijnë investimet, krijohen vende pune dhe zhvillohen të gjithë sektorët.

Cili është vendimi më i vështirë që keni marrë si sipërmarrës dhe çfarë ju mësoi ai?

Vendimi më i vështirë ka qenë të investoj në projekte afatgjata, pa garanci se do të kenë sukses. Si sipërmarrës, ka momente kur duhet të marrësh vendime me shumë përgjegjësi dhe të pranosh rrezikun. Kjo më ka mësuar se suksesi nuk vjen nga shmangia e rrezikut, por nga analiza e mirë, durimi dhe këmbëngulja për ta çuar një ide deri në fund.

Si e ruani ekuilibrin mes përgjegjësive të biznesit, angazhimit politik dhe jetës familjare?

Me planifikim dhe prioritete të qarta. Puna është e rëndësishme, por familja mbetet gjithmonë prioriteti im.

Nëse do t’ju duhej të bindnit një të ri nga diaspora që të investojë në Kosovë, cili do të ishte argumenti juaj më i fortë?

Do t’i thosha të mos e shohë Kosovën vetëm si vendlindjen e tij, por si një mundësi. Kosova ka njerëz të talentuar, popullsi të re dhe shumë hapësirë për zhvillim. Çdo investim nuk sjell vetëm fitim për investitorin, por krijon vende pune dhe kontribuon në zhvillimin e vendit. Nëse ne nga diaspora nuk besojmë dhe nuk investojmë në Kosovë, është e vështirë të presim që ta bëjnë të tjerët.

Çfarë nuk dinë njerëzit për Nderim Mustafën, por do të donit ta dinin?

Se pas çdo suksesi kanë qenë vite pune, sakrifice dhe shumë sfida. Asgjë nuk ka ardhur lehtë dhe nuk besoj te rrugët e shkurtra.

Pas dhjetë vitesh, si do të dëshironit të përmendej emri juaj: si biznesmen, politikan apo si njeri që la gjurmë në një mënyrë krejt tjetër?

Do të doja të përmendesha si njeri që la gjurmë. Titujt ndryshojnë. Ajo që mbetet është ndikimi që ke pasur te njerëzit, te ekonomia dhe te vendi yt.

Nderim Neziri






Source link