Cllevio i fiksuar pas meje, pas konfliktit biznesit tim iu vendos tritol

June 3, 2026


Reperi Rigels Rajku, i njohur si Noizy, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut.

Bëhet fjalë për shpërthimin me tritol të ndodhur në vitin 2022 në lokalin e Noizyt në Durrës, ngjarje që sipas SPAK-ut dyshohet të jetë urdhëruar nga Laert Haxhiu, pas konfliktit të reperit me Cllevio Serbianon.

Gjatë dëshmisë së tij, Noizy ka rrëfyer momentin kur mësoi për shpërthimin, dëmet e shkaktuara në pronën e tij, si dhe zanafillën e konfliktit me Cllevion, për të cilin tha se prej vitesh e ofendonte dhe kërcënonte në rrjetet sociale.

Ai deklaroi se konflikti fizik mes tyre kishte ndodhur vetëm një ditë para vendosjes së tritolit, ndërsa shtoi se më vonë i ishte djegur edhe një automjet.

Noizy po ashtu tha se nuk ka pasur asnjëherë njohje apo marrëdhënie me Laert Haxhiun dhe se emrin e tij e kishte dëgjuar vetëm pasi rasti ishte bërë publik.

Dëshmia e Noizyt:

“Kam dijeni për vendosjen e lëndës plasëse në Durrës. Kam qenë në të njëjtin pallat ku u vendos eksplozivi, kam pasur dritaren hapur. Kam qenë në gjumë, dëgjova shpërthimin dhe më doli gjumi, kuptova që diçka ndodhi.

Zbrita poshtë dhe kuptova që ishte vendosur një eksploziv.

Më doli gjumi, zbrita poshtë, ishte babai im poshtë, motra po ashtu mund të ketë ardhur, mamin e mbaj mend. Tritoli u vendos në katin e parë të pallatit ku qëndroja. Prindërit jetojnë në të njëjtin pallat, por në një kat më sipër. Kur zbrita, ngjarja kishte ndodhur rreth orës 03:00-04:00, unë u zgjova në orën 09:00. Ishin shkatërruar xhamat e lokalit dhe të dyqanit poshtë.

Kam një firmë rrobash dhe një lokal, të dy pronat janë të miat. Pashë komshinjtë, polici pa fund dhe kishte plasur një tritol.

Hyrja ishte komplet e shkatërruar, edhe në kat të parë edhe në kat të dytë. Ishte shkaktuar një gropë e madhe në tokë nga sasia e tritolit. Ishte thyer mermeri komplet.

Një hamendësim e kisha se kush e kishte bërë. Më ndodhi një problem një natë përpara te një tjetër lokal që kam në Durrës, me një person që është i fiksuar, sjelljet e një fansi të fiksuar… Po nuk i dhe vëmendje bëhet agresiv dhe sjell problemin deri te shtëpia. Kur shan dhe kërcënon në rrjetet sociale, ai të vjen edhe deri te shtëpia.Kleviol Ahmeti është personi.

Sharjet që nga 2019 nuk janë ndalur asnjëherë. Njohje me Kleviolin nuk kam pasur asnjëherë, as bashkëpunime.




Source link