Labinot Tahiri del hapur në mbështetje të Vjosa Osmani: “Kosova ka nevojë për stabilitet, jo për eksperimente”
Labinot Tahiri del hapur në mbështetje të Vjosa Osmani: “Kosova ka nevojë për stabilitet, jo për eksperimente”
Këngëtari dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Labinot Tahiri, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për vazhdimësinë e mandatit të Presidentes Vjosa Osmani, duke theksuar se vendi ka nevojë për stabilitet politik dhe jo për zgjedhje të reja.
Përmes një statusi publik, Tahiri ka vlerësuar lart rolin e Presidentes Osmani në forcimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se raportet që ajo ka me Amerikën janë themelore për shtetin e Kosovës dhe se, sipas tij, asnjë politikan tjetër në rajon nuk i ka në atë nivel.
“Çka po duam ma shumë se sa Vjosën kur e kemi dhe kur e dimë se si po na përfaqëson para Amerikës dhe botës?”, shprehet ai në reagimin e tij, duke kritikuar idetë për zgjedhje të reja dhe duke i konsideruar ato si të panevojshme dhe me kosto të lartë për qytetarët.
Tahiri thekson se vendi përballet me sfida të shumta dhe se shpenzimi i miliona eurove për procese zgjedhore, në vend të adresimit të problemeve reale, nuk është në interes të qytetarëve. Ai shton se Kosova ka nevojë për vazhdimësi institucionale dhe stabilitet, duke nënvizuar rëndësinë e interesit shtetëror mbi interesat personale apo partiake.
Në fund të reagimit të tij, Tahiri shprehet qartë:
“Unë jam për vazhdimësi. Jam dhe duhet të jemi për Vjosa Osmanin presidente.”


