Fatmir Limaj president, vjen propozimi i partise se Nisma për Kosovën
Anëtari i NISMA-s për Kosovën, Vesel Krasniqi, ka reaguar publikisht përmes një statusi në rrjetet sociale, duke propozuar Fatmir Limaj si personin më adekuat për postin e Presidentit të Kosovës.
Në reagimin e tij, Krasniqi e cilëson Limajn si një nga figurat më unifikuese të skenës politike në vend, duke theksuar rolin e tij gjatë luftës së viteve 1998–1999 si një nga komandantët e shquar të Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Sipas Krasniqit, kontributi i Limajt nuk përfundon me periudhën e luftës. Ai rikujton se pas çlirimit, Limaj ka qenë i angazhuar në jetën institucionale dhe politike të vendit, duke shërbyer si deputet në disa legjislatura të Kuvendit të Kosovës dhe si Ministër i Transportit dhe Post-Telekomunikacionit në periudhën 2007–2010. Gjatë kësaj kohe, sipas tij, janë realizuar projekte të rëndësishme infrastrukturore, përfshirë autostradën Morinë–Merdarë dhe investime në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
“Z. Limaj është figurë që lidh periudhën e luftës me fazën e ndërtimit dhe konsolidimit institucional të Kosovës, duke qenë pjesë aktive e të gjitha zhvillimeve politike në vend”, thuhet në mesazhin e Krasniqit.
Në fund të reagimit, ai u bën thirrje pozitës dhe opozitës që ta mbështesin Limajn për postin e presidentit, duke e cilësuar si njeri unifikues dhe të dëshmuar në çdo etapë të zhvillimeve politike në Kosovë.

