Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përshëndetur vendimin e Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato si të padrejta që nga dita e parë. Në adresimin e tij në mbledhjen e 280-të të Qeverisë, Kurti tha se institucionet e Kosovës nuk ishin shkaktare të eskalimit të situatës në veri, përkundrazi, deeskalimi ishte rezultat i veprimeve të tyre.
Ai rikujtoi dy sulmet e rënda terroriste ndaj Kosovës – atë në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, dhe sulmin në kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin Potokut më 29 nëntor 2024 – duke theksuar se për të dyja rastet tashmë janë ngritur aktakuza.
Sipas Kurtit, provat për rastin e Banjskës dëshmojnë për një plan të përgatitur dhe financuar nga shteti i Serbisë me synim aneksimin e veriut të Kosovës përmes strukturave paramilitare. Ai vlerësoi reagimin e shpejtë dhe profesional të njësive speciale të Policisë së Kosovës, duke thënë se pa këtë reagim situata në terren do të kishte qenë krejtësisht tjetër.
Kritika ndaj opozitës për bllokimin e mbi 1 miliard eurove
Kryeministri në detyrë tha se Kosova humbjet më të mëdha financiare nuk i ka pësuar nga Bashkimi Evropian, por nga opozita parlamentare. Ai theksoi se Kuvendi u shpërnda pa u votuar Plani i Rritjes së BE-së prej 880 milionë eurosh dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore mbi 120 milionë euro, për shkak të mungesës së votave të opozitës.
“Shpresoj që pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe konstituimit të Kuvendit, edhe opozita t’ia heqë masat Kosovës”, u shpreh Kurti.
Arritje historike në CEFTA dhe vendime për tregtinë rajonale
Kurti foli edhe për sukseset e Kosovës në kuadër të CEFTA-s, duke theksuar largimin e UNMIK-ut nga përfaqësimi dhe sigurimin e përfaqësimit të plotë të Kosovës. Ai tha se gjatë vitit, nën udhëheqjen e Kosovës, janë marrë 12 vendime, përfshirë ato për tregtinë elektronike, bashkëpunimin digjital, qasje më të shpejtë në barna, uljen e kostove doganore dhe njohjen e nënshkrimeve elektronike.
Sipas tij, këto vendime do të kontribuojnë në rritjen e tregtisë rajonale, qasjen graduale në tregun unik të BE-së dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Memorial për Familjen Jashari dhe bursë për studentët
Në mbledhjen e Qeverisë u paralajmërua edhe themelimi i Komisionit Profesional për ngritjen e Memorialit të Familjes Jashari dhe Epopesë së UÇK-së në komunën Hora e Arbëreshëve në Itali, memorial që do të jetë donacion i Qeverisë së Kosovës.
Po ashtu, Qeveria ndau 1.65 milionë euro për rreth 10 mijë studentë përfitues të Programit të Bursës së Mobilitetit për Studentë, me synim zvogëlimin e pabarazive dhe mbështetjen e studentëve nga zonat e largëta.
Në fund të adresimit, Kurti uroi mirëseardhje bashkatdhetarëve që po vijnë në Kosovë për festat e fundvitit, duke garantuar se institucionet shtetërore do të jenë në shërbim për një mikpritje sa më të mirë.
