August 4, 2025
maksi.jpg


Problemet e fshatit Rramanli në Komunën e Kumanovës, nisin që nga hyrja në fshat. Rrugë e ngushtë, vështirë e kalueshme si në hyrje ashtu edhe në dalje. Që në hyrje vërehet mungesa e dorës institucionale. Për të mos mjaftuar me kaq, banorët e këtij fshati kanë problem edhe me ujin dhe kanalizimin, si në shumë vendbanime tjera në RMV. Komuna e Kumanovës në krye me Maksim Dimitrievskin ndër vite nuk i ka zgjidhur këto probleme me të cilat ballafaqohen banorët çdo ditë. Shumica e punëve që janë bërë në këtë fshat mbajnë adresën e shoqatës “Mërgimtarët e Rramanlisë”, aktivistët e së cilës kanë kryer edhe punë të cilat u takojnë institucioneve, shkruan Portalb.mk. 

Banorët e fshatit për redaksinë tonë kanë numëruar problemet me të cilat ballafaqohen çdo ditë.

Kanalizimi dhe uji

Një banor na tha se në këtë fshat ata ballafaqohen me problemin e ujësjellësit.

“E kemi dy kilometra ujësjellësin. Ndërsa Maksim Dimitrievski na thotë se, nuk ka ujë të mjaftueshëm. Për çudi, ujë ka për disa fshatra e disa lagje tjera periferike në qytet. Ai asnjëherë nuk e vendos Rramanlinë si prioritet. Ujësjellësin e kemi tonin. 2 kilometra e kemi filter stacionin ose rrjetin për tu lidh te uji, a nga ana tjetër ne kemi hapur vet bunarë, me donacion nga Gjermania e Holandia dhe po na kushton. EVN-së i paguajmë 120 mijë euro. 1500 euro kushton rryma për banorët çka punon pompa dhe motori- vet ne e paguajmë. Ne kërkojmë vetëm kyçje- do e paguajmë vet”, tha një banor i fshatit. 

Ai ngriti alarmin edhe për kanalizimin dhe mospastrimin e kanalit të ujit që kalon nëpër fshat.

“Kanalizimi, …asnjëherë nuk e ka pastruar shtratin, është pastruar nga vet fshatarët të inicuar nga mërgimtarët. Çdo vjet me vetiniciativë e pastrojnë mërgimtarët”, tha ai.

Sipas banorit, gjithçka që është punuar në Rramanli është punuar nga ana e vetë banorëve të fshatit.

“Fshati është 5 km larg Kumanovës. Përveç fushës së sportit që e kanë ndërtuar në Rramanli, asgjë tjetër. Për dy mandate, Rramanlia është e harruar. Kemi bërë shumë kërkesa për ta zgjeruar rrugën që del në autostradë. Asnjë metër katror asfalt ose bekatona, Maksim Dimitrievski nuk e ka shtruar në Rramanli. Çfarëdo që është bërë në fshat është bërë me ndihmën e donacioneve të huaja ose nga mërgimtarët e fshatit tonë. Edhe stacionet për pritjen e autobusit lokal janë bërë nga ana e mërgimtarëve”, na tha tutje një banor i fshatit. 

Puna e fshatarëve në baza vullnetare

Shoqata Mërgimtarët e Rramanlisë, me seli në Cyrih të Zvicrës, janë institucion në vete në fshatin Rramanli. Të përkushtuar që fshatit të mos i mungojë asgjë, nga punët që janë detyrime ligjore dhe përgjegjësi politike e institucioneve lokale e deri te aktivitetet humane, kujdesin për familjet me nevojë dhe bursat për studentë. 

Kryetari i shoqatës “Mërgimtarët e Rramanlisë”, Irfan Musliu për Portalb ka deklaruar se synimi i aktiviteteve është që të përmirësohet jeta e përdtishme e banorëve të fshatit. 

“Sa i përket rolit të pushtetit lokal, ne nuk jemi këtu për të zëvendësuar institucionet, por për të plotësuar aty ku ato kanë munguar. Është e vërtetë që disa nga veprimtaritë tona kanë qenë në kompetencë të komunës, por kemi vepruar me bindjen se nevoja e qytetarëve nuk pret. Shpresojmë që ky angazhim nga ana jonë të shërbejë edhe si sinjal për institucionet që nevojat e fshatit Rramanli kërkojnë më shumë vëmendje dhe investim të qëndrueshëm”, tha Musliu.

Nga shoqata u bëjnë thirrje institucioneve komunale që t’i kushtojnë më shumë vëmendje fshatit, veçanërisht në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore, sigurimit të furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm dhe mirëmbajtjes së hapësirave publike.

“Këto nuk janë vetëm kërkesa të komunitetit, por nevoja themelore që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së banorëve. Ne si shoqatë kemi kontribuar sa kemi mundur, por zhvillimi i qëndrueshëm kërkon përkushtim dhe përgjegjësi institucionale. Jemi të gatshëm për bashkëpunim të hapur dhe konstruktiv me komunën për të adresuar këto sfida së bashku”, theksoi mes tjerash Musliu.

“Dimitrievski i painteresuar të investojë në Rramanli”

Nga ana tjetër, se kryetari i Kumanovës Maksim Dimitrievski nuk është i interesuar për zgjidhje në Rramanli, e konfirmon edhe këshilltari komunal, Huzeir Mustafa nga Aleanca për Shqiptarët.

Që nga fillimi i mandatit kur jemi ulur për t’i hartuar programet zhvillimore fshati Rramanli gjegjësisht problemet e fshatit Rramanli kanë qenë brenga jonë dhe të njëjtat i kemi nxjerrë në tavolinë për të gjetur zgjidhje. Çuditërisht dhe fatkeqësisht çdo herë kur janë cekur problemet e fshatit Rramanli ka pasur një rezistencë të jashtëzakonshme nga kryetari i komunës Maksim Dimitrievski i cili çdo herë gjente arsye për t’i ikur zgjidhjeve sa i përket këtyre problemeve. Fillimisht kemi kërkuar që të gjejmë zgjidhje për çështjen e ujësjellësit, ka pasur përgjigje ironike mandej e ka thënë edhe publikisht gjatë debateve në këshill komunal, se unë ua kam paguar shpenzimet e rrymës që bën mjeti që nxjerrë ujin nga puset dhe ka fajësuar disa banorë të Rramanlisë se gjoja bëjnë shumë shpenzime duke mbushur pishinat e tyre me ujë dhe harxhojnë ujin”, tha në prononcimin e tij për Portalb.mkMustafi. 

Ai shtoi se kur e ka hapur temën e kanalizimit, nga ana e kryetarit ka marrë përgjigje se është projekt që ka kosto të lartë dhe komuna s’mund ta mbulojë atë projekt. Mustafi thotë se projektin e kanë të gatshëm dhe do të aplikojnë kur të ketë vullnet nga ana e qeverisë për ndihmë ndaj Komunës së Kumanovës.

“Pas formimit të qeverisë ku qeverinë e përbënin subjektet e njëjta që ishin edhe në pushtet lokal, unë përsëri ja kam kërkuar që në thirrjet e qeverisë të aplikon me projektin për kanalizim të fshatit Rramanli sepse tani qeveria s’do të na refuzojë. Fatkeqësisht e kam marrë përgjigjen e njejtë me arsyetimin që nuk mund të aplikojë me atë projekt sepse të gjitha mjetet do të shkonin për kanalizimin e Rramanlisë dhe nuk mund të fitojmë projekte tjera. Ju kam përgjigjur edhe unë me ironi, atëherë sipas kësaj i bie që fshati Rramanli kurrë s’do të ketë kanalizim! Përpos kanalizimit që nga viti i parë i qeverisjes tonë, para çdo programi e buxheti personalisht kam kërkuar ta rregullojmë trotuarin për gjatë gjithë rrugës kryesore të fshatit, me që ajo rrugë frekuentohet shumë dhe do të shmangeshin edhe rreziqet sidomos për nxënësit e shkollës nga ndonjë aksident i mundshëm. Përgjigja tërë kohën ka qenë se nuk ka projekt, nuk ka dokumentacion teknik do të shohim çka mundim, po asnjëherë s’ka patur diçka konkrete. Për çështjen e trotuarit kam pasur përkrahjen edhe të këshilltarëve tjerë, bile edhe disa nga subjekti politik VMRO-DPMNE”, sqaroi tutje Mustafi. 

Deponi ne fshatin Rramanli, FOTO: Portalb.mk
Deponi ne fshatin Rramanli, FOTO: Portalb.mk

Banorët e fshatit Rramanli ka nisur t’i shqetësojë edhe një deponi afër fshatit. Banorët janë të preokupuar për faktin se deponia është në rritje e sipër, siç na tha një banor aty janë parë se si vijnë e derdhin mbeturina edhe nga fshatrat tjera përreth.

Nga Komuna e Kumanovës nuk përgjigjen në pyetjet e Portalb.mk për të gjithë këto probleme me të cilat ballafaqohet fshati Rramanli.

Kryetari aktual i Kumanovës, Maksim Dimitrievski, jozyrtarisht pritet të kandidojë për mandatin e tretë si i pari i qytetit.

Portalb.mk në kontinuitet ka shkruar për brengat e banorëve të kësaj ane. Prej më shumë se 20 vitesh, banorët e fshatit Rramanli në Kumanovë jetojnë me frikën e kalimit mbi rrugën e cila kalon përmes hekurudhës ku nuk ka rampë, masa mbrojtëse dhe sinjalizim adekuat. Pavarësisht aksidenteve të shumta, disa edhe me pasoja fatale, institucionet nuk kanë gjetur zgjidhje.



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *