
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet paraprake për procedimin penal nr. 59/2 të vitit 2022 dhe ka dorëzuar kërkesën për pushimin e çështjes në ngarkim të të pandehurve Silvio (Roland) Cara dhe Elmir Tufa, të akuzuar për përfshirje në vrasjen e ndodhur më 1 shkurt 2021 në Fier, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi Shkëlzen Brahim Kastrati
Sipas SPAK, ngjarja e ndodhur në zonën e “Sheqit të Madh”, në Fier, ku viktima udhëtonte me një automjet tip “Benz”, ka rezultuar se ishte një gabim në objekt, pasi grupi i strukturuar kriminal kishte si shënjestër një tjetër person, shtetasin Kelmend Kastrati.
Hetimet u bazuan edhe në komunikime të siguruara nga aplikacioni i koduar Sky ECC, në të cilat ishin përfshirë anëtarë të grupit kriminal që porositën dhe organizuan vrasjen. Sipas SPAK, një nga ekzekutorët është dënuar tashmë me një vendim të formës së prerë më 4 prill 2023 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier.
Për dy të pandehurit në fjalë, Silvio Cara dhe Elmir Tufa, nuk u provua gjatë hetimeve se ata kanë qenë pjesë e grupit të strukturuar kriminal apo se kanë marrë pjesë në realizimin e veprës penale. Në këtë kuadër, SPAK i ka kërkuar gjykatës pushimin e çështjes në bazë të neneve 328 pika 1, gërma “dh” dhe 329/a të Kodit të Procedurës Penale.
SPAK thekson se hetimet për anëtarë të tjerë të grupit të përfshirë në vrasje, të identifikuar apo ende të paidentifikuar, janë në vijim, në kuadër të procedimit penal nr. 59 të vitit 2022, nga i cili është ndarë edhe kjo çështje.
Kërkesën për pushimin e çështjes në lidhje me procedimin penal Nr.59/2 të vitit 2022, në ngarkim të të pandehurve:
Silvio (Roland) Cara, akuzuar për kryerjen e veprave penale të:
“Vrasje me paramendim”, në dëm të shtetasit Shkëlzen Kastrati, ngjarje e ndodhur në datën 01.02.2021 në qytetin e Fierit, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal;
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
“Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi 2 i Kodit Penal;
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.
“Falsifikimi i dokumenteve” të parashikuar nga nenet 186/1 të Kodit Penal;
Elmir Tufa, akuzuar për kryerjen e veprave penale të:
“Vrasje me paramendim”, në dëm të shtetasit Shkëlzen Kastrati, ngjarje e ndodhur në datën 01.02.2021 në qytetin e Fierit, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal;
“Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;
“Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes, të parashikuar nga neni 333/a, paragrafi 2 i Kodit Penal;
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, të parashikuar nga neni 334/1 i Kodit Penal.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri më tani, provohet se në lidhje me të pandehurit Silvio Cara dhe Elmir Tufa, hetimet në Prokurorinë e Posaçme në ngarkim të tyre kanë vazhduar pas shpalljes së moskompetencës lëndore më dt.30.05.2024 të procedimit penal nr. 103 dt.01.02.2021 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.
Nga aktet hetimore provohet se më datë 01.02.2021, rreth orës 10:00-11:00, në lagjen “Sheq i Madh”, Fier, te vendi i quajtur “rrotontua e Sheqit” është vrarë me armë zjarri shtetasi Shkëlzen Brahim Kastrati, i cili ka qenë duke udhëtuar me mjetin tip Benz me targa AA 871 AN.
Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Posaçme, referuar bisedave të realizuara nga përdoruesit e SkyECC të zhvilluara mes anëtarëve të një grupi të strukturuar kriminal, ka dalë në pah organizimi i këtyre shtetasve me qëllim realizimin e vrasjes së shtetasit Kelmend Kastrati, por kanë lajthitur në objekt dhe kanë vrarë shtetasin Shkëlzen Kastrati.
Gjatë hetimit janë evidentuar personat e interesuar dhe porositës, si dhe personat që janë angazhuar për lokalizimin e këtij shtetasi dhe ekzekutorët, ku njëri nga ekzekutorët është dënuar për këtë ngjarje me vendim penal të formës prerë nr. 62-2023-1137 (160), datë 04.04.2023, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier.
Nga hetimi nuk u arrit të provohej që të pandehurit Silvio (Roland) Cara dhe Elmir Tufa të ishin bashkëpunëtorë të këtij grupi të strukturuar kriminal dhe të kishin marrë pjesë në realizimin e veprave penale.
Në mbështetje të neneve 328 pika 1 gërma “dh” dhe 329/a të të Kodit të Procedurës Penale, nga Prokuroria e Posaçme është kërkuar para gjyqtarit të seancës paraprake, pushimi i çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Silvio (Roland) Cara dhe Elmir Tufa, në lidhje me procedimin penal nr.59/2 të vitit 2022, pasi nuk provohej që veprat penale për të cilat ata akuzohen, të jenë kryer nga këta të pandehur.
Për anëtarët e tjerë të grupit të strukturuar kriminal të identifikuar apo paidentifikuar nga ana jonë, të përfshirë në vrasjen me armë zjarri më datë 01.02.2021 të shtetasit Shkëlzen Kastrati, po vazhdojnë hetimet paraprake në lidhje me procedimin penal nr.59 të vitit 2022, nga i cili është ndarë dhe procedimi penal nr.59/2, i vitit 2022.