
Koalicioni VLEN ka akuzuar sot Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) për bashkëpërgjegjësi politike në vendosjen për herë të dytë të përmendores së figurës kontroverse Andon Qoseto në Shkup. Në një konferencë për shtyp, përfaqësues të VLEN-it deklaruan se Danella Arsovska nuk vepron e vetme, por është produkt dhe vazhdimësi e një sistemi të vjetër të cilin BDI e ka ushqyer dhe vazhdon ta mbështesë.
“BDI është pjesë e pushtetit në Qytetin e Shkupit në të gjitha nivelet dhe nuk mund të lajë duart nga përgjegjësia. Vendosja e përmendores së Qosetos nuk është gabim i rastësishëm – është provokim i qëllimshëm dhe vazhdimësi e një ideologjie që ndan e poshtëron,” u tha në deklaratë.
VLEN kujtoi se përmendorja ishte vendosur për herë të parë gjatë qeverisjes së Nikolla Gruevskit, kur ministra të tij ishin pikërisht Blerim Bexheti dhe Bujar Osmani, që sipas deklaratës “heshtën dhe e pranuan pa asnjë kundërshtim këtë provokim ndëretnik”.
Koalicioni opozitar i kërkoi publikisht BDI-së që:
T’u kërkojë dorëheqjen morale të gjithë drejtorëve të saj në Qytetin e Shkupit;
Të ndërpresë mbështetjen ndaj kryetares së Shkupit, Danella Arsovska;
Të marrë përgjegjësinë për bashkëpjesëmarrje në këtë akt që fyen bashkëjetesën ndëretnike.
“Mos luani me ndjenjat e popullit për tre muaj pushtet. Ai pushtet ka përfunduar. Tani është koha për përgjegjësi dhe moral,” përfundoi deklarata e VLEN-it.