
Me mijëra biznese ende nuk kanë dorëzuar online në Qendrën kombëtare të Biznesit pasqyrat e tyre financiare për vitin 2024.
QKB rikujton bizneset se bilanci duhet të dorëzohet brenda datës 31 korrik, në të kundërt do të përballen me penalitetet që parashikon ligji “Për regjistrimin e biznesit” i ndryshuar.
“Dokumentacioni që duhet dorëzuar, kur mbajtja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme, përfshin: pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit”, thuhet në njoftimin e QKB-së.
Sipas të dhënave të siguruara nga A deri më tani janë dorëzuar 26.500 bilance dhe 2000 të tjera janë ende në shqyrtim. Detyrimin për të dorëzuar pasqyrat financiare për vitin 2024 e kanë rreth 35 mijë subjekte dhe të gjithë ata që nuk e dorëzojnë në afat gjobiten në vlerën 60 mijë lekë.
Vendosja e gjobës nga QKB nuk i çliron bizneset nga dorëzimi i bilancit, pasi krahas pagesës së penalitetit për mos respektim të detyrimit ligjor, subjekti i regjistruar në QKB duhet të dorëzojë edhe bilancin financiar.
Dorëzimi i tyre mund të behet online në e-albania, ku janë të sqaruar hapat që duhen ndjekur nga subjektet.
Detyrimin për dorëzimin e bilancit, e kanë Shoqëritë tregtare (sh.p.k, sha), Organizatat jofitimprurëse, nëse ushtrojnë veprimtari ekonomike dhe Shoqëritë e huaja të regjistruara në Shqipëri