
CEO i Metas, Mark Zuckerberg, tha sot se rrjeti social Threads më në fund do të fillojë të testojë mesazhet direkte (DM) të dedikuar. Kjo do të thotë se përdoruesit e Threads nuk do të kenë më nevojë të përdorin Instagram-in apo të kalojnë në një aplikacion tjetër për të biseduar me dikë në platformë.
Kompania fillimisht do ta testojë këtë veçori në disa vende të botës, përfshirë Hong Kongun, Tajlandën dhe Argjentinën, me plane për ta shpërndarë edhe në vende të tjera së shpejti. Veçoria e bisedës për momentin do të jetë e kufizuar vetëm në biseda një-më-një dhe jo në biseda në grup.
Kjo ka të ngjarë të shihet si një zhvillim pozitiv për rrjetin social më të ri të Metas. Siç kishte vënë re më parë TechCrunch, shumë njerëz kanë ndjekës të ndryshëm në Threads krahasuar me Instagram-in. Për më tepër, ekziston mundësia që një pjesë e përdoruesve të Threads të mos e përdorin shpesh Instagram-in, nëse e përdorin fare.
Vitin e kaluar, kompania po punonte për një prototip që lejonte përdoruesit të dërgonin mesazhe direkt në kutinë e Instagram-it nga aplikacioni Threads.
Në vitin 2023, drejtuesi i Instagram-it, Adam Mosseri, tha gjithashtu se rrjeti social shpresonte që të mund ta bënte kutinë e mesazheve të Instagram-it të funksiononte edhe për Threads. Ai besonte se njerëzit kishin ndjekës të ngjashëm në të dy rrjetet sociale – gjë që nuk është gjithmonë e vërtetë.
Kur Threads u lançua në korrik të vitit 2023, ishte shumë i varur nga Instagram, me opsione që i lidhnin menjëherë përdoruesit me miqtë dhe krijuesit në Instagram. Por pas më shumë se 20 muajsh ekzistence, kompania kuptoi se njerëzit po formonin lloj tjetër rrjeti në Threads, për shkak të natyrës së tij publike dhe ngjashmërisë me aplikacione të tjera me përmbajtje të shkurtër si X dhe Bluesky.
Meta tha se vendosi të krijojë një hapësirë të dedikuar mesazhesh direkte sepse përdoruesit e Threads po kërkonin një mënyrë për të biseduar një-më-një pa pasur nevojë të kalojnë në një aplikacion tjetër.
Megjithëse është lajm i mirë që Threads më në fund po sjell mesazhet direkte, kompania ka vonuar me lançimin e saj.
Rivali i saj, rrjeti social Bluesky, prezantoi DM-të në maj 2024. Njoftimi i Metas gjithashtu vjen vetëm disa ditë pasi rrjeti X në pronësi të Elon Musk lansoi veçorinë e re XChat, me mbështetje për mesazhe në grup, mënyrën zhdukje (vanishing mode) dhe ndarjen e dokumenteve – për të përmirësuar eksperiencën e mesazheve direkte. /PCWorld Albanian