
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka zgjedhur sot në krye të tij znj. Megi Fino, duke shënuar një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të bashkëpunimit institucional dhe përfaqësimit qytetar.
Në këtë kuadër, nënkryetari i sapozgjedhur i Këshillit Bashkiak ka reaguar përmes një deklarate publike, duke përgëzuar kryetaren e re dhe duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për vendimmarrje në shërbim të qytetarëve:
“Urime dhe suksese Megi Fino për zgjedhjen në krye të Këshillit Bashkiak të Tiranës! Të gjithë së bashku le të dëshmojmë se vetëm përmes punës dhe frymës së bashkëpunimit mund t’u përgjigjemi kërkesave të qytetarëve për vendime në të mirë të qytetit.”
Duke vënë theksin te fryma europiane e bashkëpunimit dhe shërbimit ndaj komunitetit, ai theksoi nevojën për të lënë mënjanë ndasitë politike dhe për të vënë në plan të parë interesin qytetar:
“Qytetarët kanë nevojë për një frymë europiane, për bashkëveprim dhe shërbim ndaj tyre. Gjuha e llogores politike dhe ndasitë duhet të lihen mënjanë kur bëhet fjalë për zgjedhje dhe zgjidhje në shërbim të qytetit dhe qytetarëve.”
Në deklaratën e tij, ai falënderoi anëtarët e Këshillit për besimin e dhënë në detyrën e nënkryetarit dhe u zotua për një angazhim të vazhdueshëm në shërbim të çdo qytetari të Tiranës.
Gjithashtu, ai shprehu mirënjohjen e tij për ish-drejtoreshën e Këshillit, znj. Romina Kuko:
“Shpreh përgëzime dhe mirënjohje për drejtuesen e deritanishme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, znj. Romina Kuko, e cila përmes një gjuhe pozitive mundësoi lehtësinë e bashkëpunimit mes këshilltarëve. Pikërisht kjo gjuhë bashkëpunimi nevojitet për të çuar përpara punët e frytshme për Tiranën dhe Shqipërinë Europiane.”