
Vetëm një përfaqësues i Ministrisë së Arsimit me profesion arkitekt përbënte ekipin e këtij dikasteri që gjatë ditës qëndroi në fshatin Nerovë të Krushevës për të parë nga afër gjendjen e dy objekteve shkollore. Dashmir Jusufi nga Këshilli i Prindërve për legalizimin e objektit të ri shkollor tha për Alsat se eksperti nga MASH ka fotografuar dhe analizuar çdo kënd të objektit të ri duke shtuar se përfaqësuesin e MASH e kanë njoftuar edhe me gjendjen e shkollës ekzistuese, që sipas Jusufit, thuajse është para rrënimit.
“Ajo është shumë e qartë se objekti i vjetër aspak nuk i plotëson kushtet i cili është i ndërtuar vetëm me gur dhe me baltë. A në anën tjetër pa një objekt ku kemi më shumë se një mijë metër katrorë sipërfaqe, Nuk la vend te objekti i ri pa e parë edhe ja sqaronim gjërat për çka janë të planifikuara, se në objektin e ri ka të planifikuara zyra, klasa, kabinete, katër tualete brenda objektit a jo si objekti i vjetër që i ka jashtë dhe në gjendje katastrofale. Tha që gjithçka është në rregull, hyrjet si i kemi lënë, dy hyrje të ketë, dalje për situate urgjente”, tha Dashmir Jusufi, Këshilli i Prindërve.
Paraprakisht, ministrja e Arsimit Vesna Janevska tha se vetëm pas marrjes së raportit do të vendoset se në cilën mënyrë do të kërkohet zgjidhje për këtë rast. Madje, Janevska u shpreh e habitur se edhe shkolla ekzistuese është ndërtim pa leje dhe e ndërtuar nga vet banorët. Mirëpo, Janevska nuk premton legalizim të objektit të ri, kjo mund të ndodhë vetëm nëse përmbushen të gjitha procedurat ligjore.
“Unë vlerësova të rikonstruohet nëse ndërtimi është legal. Sapo të kthehen nga tereni dhe pasi të më dorëzojnë raportin, në komunikim me Ministrinë e Transportit dhe Komunën do të kërkojmë mënyrën si të zgjidhet ky problem. Ndoshta edhe mund të legalizohet edhe objekti I ri? Nuk mund t’ju them asgjë derisa nuk pranoj raportin por sigurisht që do të zgjedhim opsionin më të mirë për nxënësit dhe banorët. Ky është një proces i gjatë dhe i komplikuar dhe kjo nuk mund të bëhet brenda dy ditësh”, tha Vesna Janevska, ministre e Arsimit
Banorët e fshatit Nerovë mbeten në qëndrimin se nuk do të heqin dorë nga legalizimi i objektit të ri shkollor i ndërtuar nga vet ata pavarësisht mënyrës së zgjidhjes. Shkolla ekzistuese “Nikolla Karev” ku mësojnë mbi 120 nxënës është ndërtuar në vitin 1950, gjithashtu nga vet banorët. Sipas banorëve, gjatë 75 viteve shkolla është mirëmbajtur nga vet banorët dhe asnjëherë institucionet përkatëse nuk kanë vendosur asnjë gozhdë.(Alsat.mk)