
Duke shpresuar ende për ta përmbyllur një sezon të mjerueshëm me një trofe në Ligën e Europës, Mançester Junajtid udhëton drejt Francës për t’u përballur me Lionin në “Groupama Stadium”, në ndeshjen e parë çerekfinale sonte mbrëma.Të dy skuadrat janë përballur më parë katër herë në Ligën e Kampioneve, për herë të fundit në vitin 2008, kur “Djajtë e Kuq” fituan kompeticionin, por kjo përballje shënon ndeshjen e tyre të parë në Ligën e Europës. Pesë ditë pas humbjes 1-0 ndaj Notingem Forestit në Premier Ligë, Mançester Junajtid barazoi pa gola në një derbi të zbehtë dhe zhgënjyes me rivalët e Mançester Sitit në “Old Trafford” të dielën, një ndeshje pa shkëlqim në të cilën asnjëra skuadër nuk la ndonjë mbresë pozitive. Ruben Amorim sugjeroi se tifozët nuk duhet të kishin pritur një përsëritje të derbeve ikonike të së kaluarës, duke marrë parasysh gjendjen aktuale të dy skuadrave dobësuara në anën e kuqe dhe blu të Mançesterit, por tifozët e Junajtid presin ende shumë më tepër nga një skuadër që, sipas Amorim, “po përmirësohet”.
Kualifikimi për në Evropë përmes Premier Ligës është një objektiv jo realist për Mançester Junajtidin, që po përjeton sezonin më të dobët në historinë e Premier Ligës, duke qenë në vendin e 13-të me vetëm 38 pikë nga 31 ndeshje, shtatë pikë larg pjesës së sipërme të tabelës. Megjithatë, lavdia në Ligën e Europës është ende e arritshme dhe Mançester Junajtid mbetet e vetmja skuadër në këtë sezon të kompeticionit që nuk ka pësuar ende humbje (6 fitore, 4 barazime), duke mposhtur së fundmi Real Sociedadin me rezultat të përgjithshëm 5-2 në fazën e 1/8-tave. Në fakt, Junajtid ka humbur vetëm një nga 21 ndeshjet e fundit në Ligën e Europës, humbja 3-0 ndaj Seviljes në prill të vitit 2023, e vetmja herë gjatë kësaj serie që nuk ka shënuar, teksa “Djajtë e Kuq” nuk kanë humbur asnjë nga 11 ndeshjet e para të fazave me eliminim direkt në Evropë, që nga humbja 1- 0 ndaj Barcelonës në Ligën e Kampioneve në vitin 2019.
Me një seri prej shtatë ndeshjesh pa fitore në të gjitha kompeticionet, që nga mesi i janarit deri në fillim të shkurtit, Lioni ka fituar shtatë nga 10 ndeshjet e fundit, përfshirë gjashtë nga shtatë të fundit, gjatë të cilave ka shënuar 19 gola. “Les Gones” u rikthyen nga një humbje 4- 2 në Ligën 1 ndaj Strasburgut, duke fituar 2-1 në shtëpi ndaj Lilës të shtunën, me gola nga ish-sulmuesi i Arsenalit, Aleksandre Lakazet dhe Rajan Çerki, që i ndihmuan të përmbysnin rezultatin dhe të merrnin pikët maksimale.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL
