Pasi mungoi për tre muaj dhe humbi 18 ndeshje me Lillen, mediat franceze më në fund kanë konfirmuar rikthimin e Edon Zhegrovës në fushën e lojës.
“Football365.fr” të mërkurën ka shkruar se sulmuesi i Kosovës do të jetë i gatshëm për lojë më 30 mars, kundër Lensit në kampionatin elitar francez.
“Tre muaj pa të është humbje e madhe”, ka thënë Bruno Genesio, shkruan mediumi francez.
Prej nëntorit deri në muajin mars pa Zhegrovën, Lille ka barazuar me Nantesin e Auxerren, ndërsa është mposhtur nga Le Havre dhe Strasbourgu. Po ashtu, është eliminuar nga Liga e Kampionëve në një të tetën e finales nga Dortmundi.
Rikthimi i Zhegrovës nga lëndimi i muskulit aduktor ka zgjatur goxha kohë, por ai tashmë ka nisur stërvitjet me skuadrën. Të mërkurën është publikuar një tjetër video në rrjetet sociale nga skuadra e Lillet. Ai është parë duke stërvitur me presidentin e klubit, 52-vjeçarin Olivier Letang. Ai ka pasur bisedë me Zhegrovën, teksa sulmuesi i krahut po stërviste i vetmuar. Madje, Letang ka bërë shaka duke thënë se pasi nuk ka luajtur për “një vit e gjysmë, ka rrezik se mund të lëndohet”.
Zhegrova me Lillen ndeshjen e fundit e ka zhvilluar më 14 dhjetor, në barazimin 1:1 me Marseillen.
Por, pritet të kthehet kundër Lensit, skuadër ndaj së cilës në vitin e kaluar i kishte shënuar dy gola në fitoren 2:1.
Edon Zhegrova, i cili do t’i mungojë edhe Kosovës në dy ndeshjet e plejofit të Ligës së Kombeve ndaj Islandës, ka zhvilluar 21 ndeshje në të gjitha garat e edicionit aktual. 25-vjeçari në total i ka tetë gola e dy asistime.