
Egnatia rigjen sërish Bylisin përballë, teksa kësaj here do ta sfidojë në Kupë, ku ndeshja e parë do të luhet në transfertë. Pasi ka konsoliduar pozitat dhe vendin e parë në klasifikimin e kampionatit, rrogozhinasit duan që të bëjnë të njëjtën gjë edhe në Kupë, aty ku kanë synime për ta mbrojtur trofeun e fituar në dy sezonet e fundit.
Me formën që po kalojnë këtë fillim viti, ku të besuarit e Edlir Tetovës njohin vetëm fitore, pritshmëritë për vazhdimin e kësaj ecurie të tillë janë të mëdha. Megjithatë, përpos të gjithave, në Rrogozhinë duan të ulin euforinë dhe të qëndrojnë me këmbë në tokë.
SYNIMI – Duke qenë se rrogozhinasit këtë sezon luftojnë në të gjitha frontet, duan që t’ia bëjnë sa më të lehtë vetes. Për këtë arsye, Egnatia do të synojë që ta sigurojë kualifikimin që në sfidën e parë, në mënyrë që të jenë më të qetë për përballjen e kthimit dhe t’i përqendrojnë forcat në kampionat. Me atë që kanë treguar deri më tani dhe me përforcimet që kanë bërë, në letër skuadra e Tetovës i ka të gjitha shanset për të dalë me një rezultat pozitiv dhe të kënaqshëm nga transferta mallakastriote. Edhe pse në kampionat vuajtën jo pak, ku e zgjidhën ndeshjen vetëm në pjesën e dytë, në Kupë kanë besim se do t’i zgjidhin më shpejt situatat e lojës.
RROTACIONI – Tetova ka një luks jo të vogël këtë sezon, ku praktikisht ka në përbërje dy formacione. Po t’i hedhësh një sy lojtarëve të stolit, nuk kanë shumë diferenca me titullarët bazë dhe tekniku është munduar që t’u japë të gjithë sadopak mundësinë për t’i pasur të gatshëm atëherë kur t’i duhen. Dhe, ky është momenti kur Egnatia mund të ketë më shumë se kurrë nevojë për lojtarët që nuk kanë pasur shumë hapësira, por që janë “shkrirë” me pjesën tjetër të grupit.
Fakti që do të luftojnë në dy fronte dhe gara sa vjen e bëhet më e ashpër në kampionat, mund të lihen pushim disa prej atyre që kanë luajtur më shumë dhe të shihen si alternativa në Kupë. Pritet që afrimet e janarit të kenë më shumë hapësirë në përballjen me Bylisin ditën e nesërme. Gjithsesi, sa i përket formacionit përfundimtar do të shihet edhe seanca e fundit stërvitore dhe më pas të vendoset përfundimisht se me cilët do ta nisin ndeshjen.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL
