Menjëherë pasi mori drejtimin, Presidenti Amerikan Donald Trump nënshkroi disa urdhra ekzekutivë ku mes tyre ishte anulimi i përkohshëm i bllokimit të rrjetit social TikTok në SHBA.
Me këtë urdhër ekzekutiv, Departamenti Amerikan i Drejtësisë nuk do të aplikojë bllokimin për 75 ditët e ardhshme duke i dhënë më shumë kohë kompanisë të arrijë një marrëveshje të mundshme.
TikTok doli offline ditën e Shtunë përpara se ligji për dëbimin e platformës së hynte në fuqi ditën e Diellë. Ndërprerja zgjati vetëm disa orë, megjithatë shërbimi gradualisht u rikthye pasi Trump premtoi të nënshkruante një urdhër ekzekutiv për anulimin e përkohshëm të bllokimit të TikTok.
Trump gjithashtu propozoi që do të ishte në interesin e SHBA-ve që të kishte 50 përqind të aksioneve të TikTok. Mëngjesin e së Hënës Kina sinjalizoi gatishmërinë për të arritur një marrëveshje në mënyrë që SHBA-ja të lejonte TikTok edhe pse më përpara është shprehur kundër shitjes së platformës.
Gjatë mandatit të parë ishte vetë Trump që kërkoi bllokimin e TikTok në SHBA. Ai nënshkroi urdhra ekzekutivë për këtë çështje, përfshirë tentativat për ta detyruar kompaninë ByteDance të shesë biznesin e saj Amerikan. Gjatë administratës Biden presioni mbi TikTok u shtua më tutje me presidentin që nënshkroi një ligj vitin e kaluar ku ByteDance duhej të shiste TikTok ose bllokohej në SHBA. /PCWorld Albanian