Në regjistrin e Agjencisë për Punësim vend pune kërkojnë gjithsej 890 magjistra dhe 27 doktorë shkencash, ndërsa në mënyrë aktive punë kërkojnë 43.727 qytetarë. Më pak punë kërkojnë personat e moshave nga 15 deri në 19 vjet (2627), ndërsa më shumë persona nga 55 deri në 59 vjet (21.963)
Albina REKA
Shkup, 8 dhjetor – Pavarësisht rënies së ulët të papunësisë, kjo shifër vazhdon të mbetet e lartë, sidomos te ata me arsim të lartë – me gjithsej 890 magjistra të regjistruar si të papunë, ndërsa sa i përket doktorëve të shkencave – është shënuar rritje e numrit të papunëve, nga 24 sa ishin në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, këtë vit shifra ka shkuar në 27. Nga Agjencia për Punësim për mediat kishin deklaruar se për ulje të papunësisë zbatojnë një numër të madh programesh, masash dhe shërbimesh aktive për punësim, të cilat sigurojnë hapjen e vendeve të reja të punës, rrisin punësimin e personave të papunë.
“Në programet, masat dhe shërbimet e punësimit, u mundësohet qasja të gjitha personave të papunë dhe punëdhënësve dhe e drejta për pjesëmarrje përcaktohet në bazë të kushteve dhe kritereve të përcaktuara për çdo aktivitet të veçantë”, thanë ata në gusht të këtij viti. Bazuar në të dhënat zyrtare të Agjencisë së Punësimit, numri i personave të papunë është ende i lartë, por krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur ky numër kishte arritur në 103.147, sivjet ka shënuar rënie deri në 97.879, prej të cilëve 57.555 jetojnë në qytete dhe 40.324 jetojnë nëpër fshatra. Si vendi me më shumë persona të regjistruar si të papunë është Shkupi me gjithsej 20.180, pas tij radhitet Tetova me 12.302, Kumanova (10.071), Gostivari (7467), dhe e fundit radhitet Kratova me 393.
Të regjistruar të cilët në mënyrë aktive kërkojnë punë figurojnë 43.727, që nënkupton rënie prej 740 personave nga viti i kaluar kur të regjistruar ishin 44.467 persona. Të ndarë në baza etnike, numri më i madh i të papunëve të regjistruar që kërkojnë punë duket të jetë i shqiptarëve me gjithsej 59.424, të ndjekur nga maqedonasit (58.708), romë (15.824), turqit (10.509), serbët (616), boshnjakët (485), vllahët (142), dhe të tjera komunitete etnike (3224).
Persona të cilët presin punësim në më pak se një muaj janë 6101, nga 6 deri në 11 muaj (16.622), ndërsa në 8 vite e tepër janë 17.513 persona që presin një vend pune. Numri i personave të cilët për herë të parë janë regjistruar në Agjencinë për Punësim është 875, nga të cilët tre janë magjistra. Më pak punë kërkojnë personat e moshave nga 15 deri në 19 vjet (2627), ndërsa më shumë persona nga 55 deri në 59 vjet (21.963). Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në tremujorin e dytë të vitit 2024 popullata aktive në Maqedoninë e Veriut është 790.152 persona, prej të cilëve të punësuar janë 691.736, ndërsa 98.416 persona të papunësuar.
Shkalla e aktivitetit në këtë periudhë sipas ESHS, është 52.1%, shkalla e punësimit 45.6%, ndërkaq shkalla e papunësisë 12.5%, që nënkupton rritje të shkallës së punësimit krahasuar me vitin paraprak, kur shkalla e punësimit ishte 45.5% dhe shkalla e papunësisë arrinte në 13.1%. (koha.mk)