Në pikën e Njësisë në fjalë që gjendet në afërsi të fshatit Kosovrast i Poshtëm, janë vendosur materialet abrazive – kripë dhe rërë, për të cilët udhëheqësit të Njësisë thonë se janë të mjaftueshme për sezonin dimëror, si dhe një mekanizëm për mirëmbajtje dhe pastrimin e rrugëve nga bora dhe rrëshqitjet e gurëve dhe dheut
Vjollca SADIKU
Dibër, 19 nëntor- Duke marrë parasysh konfiguracionin gjeografik të Dibrës dhe rajonit, tradicionalisht sezoni dimëror kërkon përgatitje maksimale për të siguruar një komunikacion stabil gjatë muajve të dimrit. Pikërisht për këtë, Njësia e ndërmarrjes publike “Rrugët rajonale dhe magjistrale” të Maqedonisë së Veriut në Dibër këto ditë siguroi materialin abraziv të nevojshëm. Në pikën e Njësisë në fjalë që gjendet në afërsi të fshatit Kosovrast i Poshtëm, janë vendosur materialet abrazive – kripë dhe rërë, për të cilët udhëheqësit të Njësisë thonë se janë të mjaftueshme për sezonin dimëror, si dhe një mekanizëm për mirëmbajtje dhe pastrimin e rrugëve nga bora dhe rrëshqitjet e gurëve dhe dheut.
Udhëheqësi i Njësisë së ndërmarrjes publike, Dear Limanoski, për gazetën KOHA thotë se aktualisht në pikën e kësaj njësie janë siguruar 100 ton kripë dhe 250 kubikë rërë. “Sasitë e këtij materiali abraziv janë të mjaftueshme sipas parashikimeve tona që pa probleme të sigurojmë nga temperaturat e ulëta dhe akullnajat për sezonin dimëror. Por sipas nevojës, ne bëjmë dhe kërkesa për sasi të tjera. Po ashtu, përveç sigurimit të materialit abraziv, ne si njësi e ndërmarrje shtetërore publike kemi edhe mekanizimin e nevojshëm si dhe numrin e nevojshëm të punëtorëve”, tregon udhëheqësi i kësaj njësie, i cili shton se situata meteorologjike ndiqet në kontinuitet. Duke marrë parasysh reshjet e borës në pjesën më perëndimore të vendit, vazhdon Limanoski, kemi siguruar edhe automjetet e nevojshme për pastrim të saj kryesisht në aksin rrugor Dibër-Mavrovë si dhe Dibër-Strugë.
Kur jemi tek aktiviteti i kësaj ndërmarrje publike, të potencojmë se të punësuarit punojnë me ndërrime 24 orë. Problemi aktual është rrëshqitja e gurëve dhe dheut dhe erozionet që janë në disa pjesë të akseve rrugore në rrugët rajonale, por edhe lokale në territorin e Komunës Dibër-Qendër Zhupë dhe një pjesë të Komunës Mavrovë-Rostushë.
“Rrëshqitjet e gurëve dhe dheut pothuajse në kontinuitet dhe veçmas gjatë reshjeve të shiut janë prezente sidomos në aksin rrugor Dibër-Rostushë edhe atë në tre lokalitete dhe në rrugën Dibër-Strugë në afërsi të lokalitetit ‘Tre çeshmat’. Pastrimi i gurëve dhe dheut bëhet në vazhdimësi, por dukuria në fjalë është e rëndomtë”, thotë udhëheqësi i kësaj njësie në Dibër, Dear Limanoski. Por, nga kjo njësi vazhdojnë në kontinuitet të kërkojnë nga pjesëmarrësit në komunikacion një vëmendje maksimale në akset në fjalë e veçmas në afërsi të urës të madhe të Mellniçanit, ku përveç rrëshqitjeve të gurëve dhe dheut vazhdon të jetë prezent edhe gropa e madhe që është hapur para disa viteve.
Gropa në fjalë disa herë ka vazhduar të zgjerohet, ajo mbushte me rërë dhe materiale të tjera, por assesi të sanohet një herë e përgjithmonë. Të dhënat thonë se bëhet fjalë për ujëra nëntokësor, të cilat ndikojnë në zgjerimin e gropës në fjalë, e cila është një rrezik për pjesëmarrësit në komunikacion. (koha.mk)