Agjentët e Policisë Kombëtare dhe Bashkiake të Madridit, kanë arrestuar të dielën e 27 tetorit 5 persona të cilët u kapën duke vjedhur me metodën që autoritetet spanjolle e quajnë “butrón” (hapja e vrimës në mur), në një dyqan-depo metalesh të çmuara (diamante), në zonën Fuente del Berro të Salamanca.
Dy nga të arrestuarit janë shqiptarë dhe tre të tjerët spanjollë. Ata janë nga 30 deri në 45 vjeç dhe kanë dosje të shumta policie për vepra penale nga më të ndryshmet.
Brenda depos ndodheshin sasi të mëdha me shufra ari, metale të çmuara dhe monedha.
“Hajdutët kanë bërë një vrimë rreth 70 centimetra nga një godinë e ngjitur, në bllokun ku ndodhej dyqani”, shkruan “El Mundo”.
Fqinjët kanë dëgjuar diçka të çuditshme dhe kanë lajmëruar Policinë. Pas marrjes së njoftimit, agjentët janë shfaqur në zonë dhe kanë krijuar një pajisje “kafaz”, për të mos lejuar që hajdutët të iknin me floririn e vjedhur.
“Pasi siguruan zonën dhe hynë në dyqan, gjetën të fshehur në katin e sipërm pesë personat, të cilët i ndaluan menjëherë si përgjegjës për krimin e grabitjes”, vijon raportimi për ngjarjen.
Emrat e të ndaluarve ende nuk janë bërë të ditur në media.
Të arrestuarit kanë qenë të veshur me doreza dhe kapuç dhe kanë pasur një automjet të parkuar në rrugë, ku janë gjetur edhe sende materiale dhe pajisje që shërbejnë si prova.