October 6, 2024

Rashiq: Radomiroviq ishte kontrovers, Sveçla e Krasniqi më informuan për sjelljet e dyshimta të tij

0


Ministri për Komunitete dhe Kthim i Kosovës, Nenad Rashiq, në konferencë për media të enjten ka komentuar shkarkimin e zëvendësministrit Radoica Radomiroviq. 

Rashiq ka thënë se nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, është informuar për sjelljet e dyshimta politike të Radomiroviqit. 

“Sa i përket ish-zëvendës Radomiroviq, unë jam informuar nga kolegët e mi, si ministrat Sveçla dhe Krasniqi, për disa sjellje të dyshimta politike të Radomiroviqit. Dhe në përputhje me performancën shumë të dobët që kam vërejtur, kam biseduar me Radomiroviqin rreth dy-tri javë më parë dhe i kam kërkuar të japë dorëheqje, sepse në përgjithësi nuk jam i kënaqur me punën e tij. Fatkeqësisht, ai e ka marrë pak në mënyrë dramatike dhe bëri ato lëvizje që kanë qenë, si largimi nga partia, prandaj u detyrova të kërkojë nga kryeministri që të zëvendësohet Radomiroviqi”, shpjegoi Rashiq, njofton “Radio KIM”. 

Rashiq tha se Radomiroviq është “person kontrovers” dhe për këtë “ishte në dijeni nga fillimi”. 

“E di dhe e kam ditur që në fillim se ai, për fat të keq, nuk ka as karakter, as kapacitete etike dhe as intelektuale për përfaqësim të lartë në Qeveri, por duhet të kuptoni që ndonjëherë ne politikanët duhet të punojmë me ata që i kemi”, tha Rashiq. 

Ai ka thënë se ndryshimet në politikë janë krejt normale dhe nuk ka rëndësi nëse “Rakiq apo Radomiroviq janë zëvendësministra”, por drejtimi strategjik, “që është integrimi i serbëve të Kosovës në sistemin e Kosovës”. 

Në pyetjen lidhur me njoftimin se Radomiroviq do të formojë parti politike, Rashiq ka thënë se “është i gatshëm të vë bast se çfarëdo që formohet do të ketë qëndrim të njëjtë me Listën Serbe”. 

Rashiq thotë se e ka vënë re sjelljen e papërshtatshme të Radomiroviqit në dy-tre muajt e fundit. 

“Radomiroviq asnjëherë s’ka mundur ta kalojë kontrollin e sigurisë, po ashtu ai ka postuar në llogarinë e tij në Facebook ato llogari të kohës së Listës Serbe ku është vërtetuar qartë se çfarë përvetësimesh janë bërë në periudhën e kaluar”,  tha Rashiq. Por tha se nuk është kompetent të japë informata tjera. 

Në përgjigje të akuzave të Radomiroviqit se fondet e Ministrisë po shkojnë në Graçanicë, Lapnasellë e Dobrotin, e jo Shtërpcë e veri të Kosovës, Rashiq tha se ekziston një listë me të dhëna për fituesit, komunën dhe kombësinë dhe se atë do ta ofrojë në media për të përcaktuar nëse ndonjë rajon është dëmtuar. 

Ai tha se ka komision që punon në mënyrë të pavarur për të përcaktuar kushtet për kalimin e projekteve. Rashiq ka thënë se në veri përmes projekteve të ndryshme janë investuar 340 mijë euro. Ai shtoi se janë dhënë materiale ndërtimore, duke aprovuar 31 nga 33 kërkesat e qytetarëve. 

E Radomiroviq në një prononcim për “Kossev” ka thënë se ishte në dijeni se si “do të ishte epilogu i konfrontimit me Rashiqin”.

“Ai që më caktoi në detyrë edhe më zëvendësoi. Ishte e pritshme. Hyra në konflikt me Rashiqin duke e ditur rezultatin përfundimtar. Unë nuk mund të udhëhiqem nga interesim im personal, mund të udhëhiqem vetëm nga interesat e bashkëpunëtorëve e qytetarëve të mi”, tha Radomiroviq.

Ai ka thënë se ka mundur të japë dorëheqje, por nuk ka dashur të bëjë pasi siç pohon “ka punuar me nder në interes të të gjithë qytetarëve”.



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *