December 22, 2024
Screenshot_1-3.png


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar edhe nga Përfaqësuesi i UNICEF-it në Shqipëri, Murat Sahin, ka vizituar Qendrën “Me një ndalesë”, pranë Spitalit Rajonal Fier e cila ofron shërbime të specializuara socio-shëndetësore për fëmijët të ekspozuar ndaj formave më të rënda të dhunës, përfshirë dhe dhunën seksuale.

Fëmijëve u ofrohet mbështetje në momentet më të vështira duke përfshirë shërbime mjekësore, këshillim të specializuar psikologjik dhe trajtim afatgjatë për tejkalimin e traumës.

Ministrja Koçiu u shpreh se modele të tilla janë shumë të mira për për t’u aplikuar dhe se në bashkëpunim me UNICEF do të shtrihen edhe në qarqe të tjera të vendit.  “Unë shpresoj se shumë shpejt do të kemi qendrën e radhës në një qark tjetër me qëllim që të kemi këto lloj modelesh për të asistuar sidomos fëmijët të cilët janë edhe grupi më vulnerabël dhe që kërkojnë dhe një mbështetje dhe prani më të shtuar, jo vetëm tonën, por edhe gjithë sistemit të referimit të cilët duhet të ndodhet menjëherë në gatishmëri. Unë besoj se mësë miri e bën këtë rol koordinatori që ndodhet në këto qendra i cili mban kontaktet jo vetëm me policinë, gjykatën, me stafin mjekësor, por edhe me shërbimet sociale dhe me njësitë e mbrojtjes së fëmijëve, pushtetin vendor dhe më pas për të rehabilituar edhe familjarët të cilët do të kenë shpesh herë dhe nevoja për t’u asistuar për në një trajtim më të thelluar  me qëllim që vetë familja të jetë në gjendje që të kthehen në normalitet”, theksoi Koçiu.

Ajo shtoi se këto lloj modelesh pranë spitaleve apo strukturave shëndetësore aty ku paraqiten edhe për të marrë ndihmën e parë për shkak të një nevoje shëndetësore, janë vendndodhja dhe modeli më i mirë i cili bën të mundur që të evidentohet dhe të ndiqet më tej si rast.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e konsideroi me rëndësi bashkëpunimin mes të gjithë aktorëve me qëllim rritjen e referimeve si dhe integrimin më tej të këtyre fëmijëve dhe familjeve në jetën e përditshme.

Në mbështetje të fëmijëve, vajzave dhe grave viktima të dhunës seksuale, aktualisht funksionojnë tre qendra të tilla të specializuara, në QSUNT-së, në Spitalin Rajonal Fier dhe një qendër pranë Spitalit Rajonal Shkodër të cilat ofrojnë shërbime urgjence 24/7 në një mjedis miqësor dhe të sigurt nga profesionistë si pediatër, psikologë dhe punonjës socialë. Qendra “Me një ndalesë” pranë Spitalit Rajonal Fier ka trajtuar gjithsej, deri më sot  50 fëmijë dhe 24 prindër jo abuzues të cilëve iu është ofruar ndihmë e drejtpërdrejtë bazuar në Planet Individuale të Mbrojtjes të zhvilluara në bashkëpunim me punonjësit e Mbrojtjes së Fëmijëve

 



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *