Postuar: Gusht 28, 2024 | 16:40
Vora bëri detyrën ndaj Apolonisë në premierën e kampionatit. Skuadra ka nisur punën për ndeshjen e radhës kundër Kukësit, ku pritet fitorja e dytë. Vora ka bërë një merkato të pasur, ku mes tyre bën pjesë edhe Segerso Geci, që erdhi nga Korabi.
“Vora e ka shprehur edhe sezonin e kaluar se objektiv ka vetëm Superioren dhe dëshira ime është që gjithmonë të luaj në ekipe me të tilla pretendime. Këtu ndihem shumë mirë. Më duket sikur kam vite që luaj këtu, sepse kam gjetur shumë shokë që në të kaluarën kemi luajtur së bashku. Ky ambient të jep kurajë e forcë për të dhënë edhe më shumë nga vetja”, u shpreh fillimisht Geci për “Panorama Sport”. Sa i përket realizimit të objektivit madhor dhe ndeshjes së radhës me Kukësin, 23-vjeçari deklaroi: ”Kam besim të patundur se skuadra, duke u bazuar te elementët që ka, mund ta realizojë objektivin madhor.
Grupi është cilësor dhe besoj shumë te këta djem. Që të realizojmë synimin, duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një, duke mos nënvlerësuar asnjë kundërshtar. Vetëm kështu mund të arrijmë objektivin Superiore. Në Kategorinë e Parë nuk ka asnjë kundërshtar të dobët. Në fundjavë ne presim Kukësin, përsëri në Vorë, dhe e kemi vlerësuar maksimalisht. Synim në atë ndeshje është vetëm trepikëshi. Personalisht kërkoj që gjatë këtij sezoni të bëj një paraqitje sa më të mirë dhe të ndihmoj skuadrën për t’u ngjitur në Superiore”.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL