
Jannik Sinner është thjesht i pakonkur rueshëm. Tenisti italian ka fituar për herë të dytë radhazi turneun Australian Open, duke shënuar suksesin e tij të tretë në karrierë në eventet grand slam. 23-vjeçari mposhti dje në finale gjermanin Alexander Zverev me rezultatin e pastër 3-0 (6-3, 7-6, 6-3).
Ndeshja zhvilluar në “Rod Laver Arena” të Melburnit u dominua nga Sinner, i cili i mbylli llogaritë për 2 orë e 40 minuta, ndërsa Zverev rivalizoi vetëm në setin e dytë, për t’u thyer me “tie break”. Në pritje për t’u përballur me gjykatën për çështjen e dopingut, numri 1 i botës e ka nisur me këmbë të mbarë vitin 2025, duke bërë të tijin trofeun e parë sezonal grand slam.
Me suksesin e djeshëm në Melburn, Sinner vijon të vendosë rekorde, teksa është bërë tenisti i parë italian që fiton 3 turne grand slam (2 Australian Open dhe 1 US Open), për të kaluar Nicola Pietrangelin, që numëron dy triumfe në Paris në vitet 1959 dhe 1960. Gjithashtu me fitoren e tij në Australi, Sinner e ka çuar në 21 numrin e sukseseve radhazi në fushat me çimento të turneve grand slam. Një tjetër statistikë e jashtëzakonshme është ajo e 22 seteve radhazi të fituara, duke barazuar një legjendë si Roger Federer.
PROTAGONISTI – Gjatë ceremonisë së marrjes së trofeut, Sinner e nisi prononcimin e tij duke i thurur fillimisht elozhe rivalit, teksa iu drejtua kështu gjermanit: “Para së gjithash duhet të them: ‘Zverev je një lojtar i madh dhe do të rikthehesh këtu për të luftuar për titullin’”, tha Sinner, teksa më pas kishte një mesazh edhe për ekipin: “Dua të falënderoj skuadrën time, jam i lumtur që punoj me ju dhe shpresoj të vazhdojmë edhe në të ardhmen”, fjalë që shkojnë për trajnerin Darren Cahill, i cili ka njoftuar se do të tërhiqet në fund të sezonit.
“Do të provoj ta bind, edhe pse kjo ndoshta do jetë hera e fundit së bashku këtu në Australian Open. Jam shumë i lumtur që ju kam në krah, së bashku me trajnerin Simone Vagnozzi. Në fund një falënderim shkon edhe për publikun që më ka mbështetur gjithmonë”, deklaroi ndër të tjera Sinner
PËRFITIMI – Me kualifikimin në finale, Sinner kishte ftuar 1 milion e 140 mijë euro, ndërsa me suksesin e arritur dje, ai e çoi në 2 milionë e 100 mijë euro përfitimin e tij në turneun grand slam të Melburnit. Turneu Australian Open këtë sezon e rriti me 10 milionë euro çmimin monetar për pjesëmarrësit, duke vendosur në dispozicion gjithsej rreth 58 milionë euro.
Me triumfin në tokën australiane, tenisti italian i forcon gjithashtu edhe më shumë pozitat në krye të renditjes ATP, duke konfirmuar 2000 pikët e marra në sezonin e kaluar, për të ruajtur vendin e parë të klasifikimit botëror në kuotën e 11830 pikëve. Diferenca me ndjekësit është e madhe, me Zverev në vend të dytë në kuotën e 8135 pikëve, ndërsa Carlos Alcaraz është i treti me 700 pikë.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL
