
Andrea Agostineli kërkon vetëm tri pikët sot në Pogradec. Italiani i pankinës vlonjate nuk pajtohet me barazimin, ndërsa do revanshin drejt Superiores. Gjatë një interviste për “Panorama Sport”, Agostineli thekson se shtyrja e ndeshjes ka krijuar probleme në drejtim të programit dhe planeve, por edhe të gjendjes shëndetësore të lojtarëve. Megjithatë, italiani ka një organikë të pasur që ndihmon skuadrën.Agostineli, luani në Pogradec. Si e shikoni këtë ndeshje?
Me Pogradecin është e vështirë, pasi luan futboll të mirë, aq më shumë në fushën e vet. Do të jetë një ndeshje me shumë angazhim. Flamurtari vjen pas një fitore me Korabin në javën e kaluar, një sukses shumë i rëndësishëm dhe vijmë në këtë përballje të radhës me moral të lartë dhe me një kondicion shumë të mirë. Një ndeshje e vështirë për të dyja palët, por ne duhet t’ia bëjmë edhe më të vështirë kundërshtarit.
Keni një vlerësim për kundërshtarin e radhës?
Është një ekip që është forcuar. Pogradeci është një skuadër që në fushën e vetë është e vështirë ta mundësh. Do të mundohemi të bëjmë ndeshjen tonë, me mentalitetin tonë dhe do të përpiqemi ta fitojmë.
Ndeshja duhet të luhej të shtunën, por u shty për shkak të motit. Ju ndihmon, apo penalizon kjo gjë?
Ishim përgatitur që këtë ndeshje ta luanim të shtunën, por do të zhvillohet të hënën. Ndoshta na ka krijuar ndonjë problem të vogël, referuar asaj se çfarë kishim programuar. Gjithsesi, ajo çfarë unë shpresoj është që të gjejmë një fushë që të mos ketë probleme për shkak të motit dhe të mos ndikojë në mbarëvajtjen e ndeshjes.
Cilat janë këto probleme që ju ka krijuar ndryshimi i axhendës?
Të them të drejtën këto dy ditë që u shty ndeshja na ka krijuar disa probleme, edhe sa i përket anës shëndetësore të lojtarëve.
I keni gati zëvendësuesit për lojtarët që do të mungojnë?
Ata që do të futen në fushë e lojës, në kokën time janë lojtarë që të paktën kanë 1% më shumë për ta fituar ndeshjen.
A është në rrugën e duhur ky Flamurtar drejt Superiores?
Kemi ende ndonjë mungesë, por në përgjithësi jemi në gjendje mjaft të mirë. Ndodhemi tri pikë larg vendit të tretë ku ndodhet Besa e Kavajës, por në këtë periudhë nuk na intereson ky fakt. Ne shohim ndeshje pas ndeshje, llogaritë pastaj bëhen në fund.
Do të kënaqeshit edhe me një barazim në Pogradec?
Jo, nuk e mendoj këtë fakt. Asnjë skuadër nuk luan për barazim. As ne, por edhe Pogradeci nuk e do dhe nuk do të kënaqeshim vetëm me një pikë. Ne luajmë ashtu si në çdo ndeshje, vetëm për fitore.
E keni mbyllur merkaton, apo prisni ende?
Kemi edhe një mundësi. Të shohim nëse e shfrytëzojmë.
Keni një mesazh për tifozët?
Tifozët i falënderojmë për mbështetjen dhe rikthimin e tyre në stadium. Ne luajmë për ata. Faleminderit për mbështetjen!
Situata
Virozë dhe dëmtime, vlonjatët me 5 mungesa në transfertë
Flamurtari udhëtoi me mungesa drejt Pogradecit, ku në fakt, tre janë të papritura. Në orët e fundit, Kobian ka qenë me virozë dhe temperaturë, kështu që nuk u grumbullua me ekipin. Nga viroza janë prekur edhe disa lojtarë të tjerë, por që sot do të luajnë duke sakrifikuar pasi edhe gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar. Ndërsa Marku dhe Allmuça u dëmtuan duke u përplasur me njëri-tjetrin, gjatë një testi brenda grupit në stërvitjen e së shtunës dhe nuk do të jenë të gatshëm për këtë ndeshje. Telushi dhe Alla nuk janë rikuperuar ende. Lajm i mirë është që Batha ka kaluar plotësisht dëmtimin dhe ka udhëtuar drejt Pogradecit, i gatshëm për të marrë minuta në këtë ndeshje. Dje skuadra i dha dorën e fundit përgatitjeve me një seancë gjatë paradites në Pyllin e Sodës. Ndërsa rreth orës 13.00 skuadra u nis drejt qytetit liqenor. ERMAL SIKA
Mateo Panadiç
“E vështirë kundër kuqezinjve, por Pogradeci bën autokritikë”
Pogradeci luan në shtëpi sot, ku në orën 13:30 pret Flamurtarin, një ndeshje e vështirë në luftën për të qenë në gjashtëshen e parë. Liqenorët vijnë në këtë sfidë pas humbjes së papritur në Kukës, ndaj shpresohet autokritika ndaj vlonjatëve. “Ndaj Flamurtarit na pret një ndeshje e fortë. Skuadra vlonjate, për vetë pretendimet që ka, është një kundërshtar serioz dhe i vlerësuar. Gjatë gjithë këtyre ditëve kemi qenë të fokusuar në përgatitjet për ta kaluar me sukses ndeshjen që e luajmë në fushën tonë”, u shpreh fillimisht për “Panorama Sport”, sulmuesi Mateo Panadiç. Kroati ka shënuar 3 gola në 18 javë kampionat për Pogradecin. Humbja ndaj Kukësit i ka shërbyer të besuarve të Memës si shenjë reflektimi për ndeshjen e sotme. Më tej kroati vazhdon:
“Atmosfera në radhët e skuadrës është mjaft e mirë. Të gjithë kemi qenë të përqendruar për të marrë ngarkesën e duhur dhe për ta përballuar me sukses përballjen kundër vlonjatëve. Humbja me Kukësin na ka shërbyer për të nxjerrë mësimet e duhura për ndeshjen e radhës. Ashtu si çdo skuadër, edhe ne do të hyjmë në fushën e lojës për të marrë maksimumin e pikëve. Me fat dhe me ndihmën e tifozëve, gjithçka është e realizueshme”. Në ndeshjen e sotme, për shkak kartonësh do të mungojë Oresti Kasmollari. Aktualisht, pogradecarët janë në kuotën e 23 pikëve dhe ndodhen të shtatit në renditje. Fitorja e fundit e liqenorëve, në shtëpi është regjistruar me 25 nëntorin e vitit të kaluar ndaj Lushnjës, me rezultatin 1-0 me golin e shënuar nga Kazim. NDERIM GOCI
PANORAMASPORT.AL
