December 9, 2024
Capture-140.png


Në takimin me shqiptarët në Greqi, Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha e nisi fjalimin e tij përshëndetës me urime të përzemërta për Ditën e Pavarësisë dhe Flamurit, duke shprehur mirënjohje për pjesëmarrësit dhe organizatorët.

Berisha e vendosi theksine  tij mbi shqetësimin për situatën aktuale në Shqipëri, e cila përshkruhet si një diktaturë e re, ndryshe nga ajo komuniste, duke mos qenë ideologjike, por e bazuar në aleancën me krimin, drogën dhe vjedhjen e pasurive publike.

Kjo diktaturë cilësohet si një regjim që përqendron të gjitha pushtetet në duart e një njeriu, duke shkelur Kushtetutën dhe ligjet. Kryedemokrati, Sali Berisha kritikoi me tone të ashpra manipulimin e proceseve zgjedhore, kontrollin mbi ekonominë dhe median, si dhe arrestimet politike që rikthejnë praktika të së kaluarës.

Berisha, në takimin me shqiptarët në Greqi, theksoi rëndësinë e marrëdhënieve fqinjësore dhe miqësore mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke i përshkruar si të ndërtuara mbi histori të përbashkët dhe respekt reciprok. Berisha gjithashtu vlerësoi emigrantët shqiptarë në Greqi për kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, duke i konsideruar një urë të fortë mes dy popujve.

Kryetari i PD, Sali Berisha nënvizoi angazhimin e PD-së për të forcuar këto marrëdhënie dhe përmend traktatin e miqësisë mes dy vendeve, të nënshkruar gjatë presidencës së tij, si një bazë për zgjidhjen e problemeve dhe ndërtimin e bashkëpunimit të qëndrueshëm.

Ai kritikoi ashpër qëndrimet e Edi Ramës për çështjen e detit me Greqinë, duke i quajtur të papërgjegjshme dhe të dëmshme për interesat shqiptare. Berisha theksi se marrëveshja e detit e arritur nga qeveria e tij ishte e drejtë dhe transparente, duke sjellë përfitime për të dyja palët. Lideri demokrat, Sali  Berisha akuzoi Ramën se, për arsye politike, e rrëzoi këtë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese dhe dështoi në negociatat pasuese.

Sipas Berishës, kjo mungesë serioziteti i qeverisë shqiptare i dha mundësi Greqisë të zgjerohej në 12 milje, një veprim në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, por i pafavorshëm për Shqipërinë. Marrëveshja e re që po përgatitet për nënshkrim cilësohet si shumë më e pafavorshme, për shkak të papërgjegjshmërisë dhe mungesës së profesionalizmit nga ana e qeverisë aktuale, shtoi Berisha ndër të gjitha.

Kryetari i PD, Sali Berisha foli mbi arrestimin e Fredi Belerit, duke e cilësuar si një akt politik të orkestruar nga Edi Rama për shkak të refuzimit të Belerit për të kandiduar për Partinë Socialiste. Berisha u shpreh se, Rama përdor drejtësinë dhe dëshmitarët e rremë për të eleminuar kundërshtarët politikë. Ai theksoi se kjo situatë reflekton një regjim diktatorial pa ligje e parime, ku interesat mafioze të Ramës për Himarën prevalojnë mbi të drejtat e qytetarëve dhe marrëdhëniet ndërkombëtare.

Kryedemokrati, Sali Berisha theksoi rëndësinë e votës së diasporës për të ardhmen e Shqipërisë, duke i ftuar emigrantët të angazhohen për pjesëmarrje masive në zgjedhje. Berisha garantoi se PD, në qeveri, do krijojë një kuadër ligjor të favorshëm për rikthimin e emigrantëve dhe investimet e tyre në Shqipëri. Ai premtoi përfshirjen e diasporës në votime dhe intensifikimin e kontakteve me emigrantët, duke theksuar rolin e tyre përcaktues për shpëtimin e vendit nga “narkodiktatura”.

FJALA E PLOTË

Ju uroj përzemërsisht festën e pavarësisë, Ditën e Flamurit.

Shpreh mirënjohje të pakufishme ndaj jush për praninë tuaj në këtë takim.

Falënderoj organizatorët dhe të dërguarit e PD-së që janë sot të pranishëm në takimin me ju.

Të nderuar zonja dhe zotërinj!

Shqipëria sot ndodhet në një regjim të ri diktatorial dhe feston Ditën e Pavarësisë, e vërteta është, me instalimin e një diktature të dytë 32 vite pasi u përmbys e para.

Por në dallim nga diktatura komuniste, diktatura e sotme nuk është një diktaturë ideologjike, është një diktaturë, e cila bazohet në aleancën me krimin, drogën dhe vjedhjen e fondeve dhe pasurive publike të shqiptarëve.

Është një diktaturë që bazohet në përqendrimin e të gjitha pushteteve në duart e një njeriu.

Është një diktaturë që bazohet në rikthimin në Shqipëri të arrestimit dhe burgjeve të kundërshtarëve politikë.

Në shndërrimin e proceseve zgjedhore në një farsë zgjedhore.

Në kontrollin e plotë të ekonomisë, medies dhe shoqërisë.

Pra, është një diktaturë që bazohet në shkelmimin e ligjeve, Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo formë diktaturë, e panjohur ndonjëherë në Europë, por e njohur rëndom në Amerikën Latine dhe në vende të tjera të Afrikës, është forma e diktaturës që nuk zbaton asnjë rregull, asnjë ligj, ndaj studiuesit e kanë cilësuar si formën më të keqe të diktaturave.

Por, si çdo diktaturë, edhe kjo diktaturë nuk mund të ketë jetën e gjatë.

Ndaj dhe ne jemi në këmbë për t’u përballur me këtë diktaturë.

Thashë dhe njëherë, nuk njeh ligje, Kushtetuta, rregulla dhe parime, njeh vetëm interesa mafioze të padrinos apo të kryeministrit që kontrollon çdo pushtet në Shqipëri.

Pikërisht në këtë kuadër, ju duhet të shihni edhe qëndrimet e tij në marrëdhëniet me Greqinë.

Me Greqinë ne jemi dy vende fqinj në shekuj, në mijëvjeçarë dy popuj fqinj.

E vërteta është se si çdo marrëdhënie fqinjësore, kanë pasur këto marrëdhënie uljet dhe ngritjet e tyre, por në tërësi ka predominuar fqinjësia e mirë. Ka predominuar respekti reciprok dhe kontributin më të madh në këto marrëdhënie e keni dhënë ju, emigrantët shqiptarë.

Ju ndërtuat jetën tuaj në Greqi, dhatë kontribut të madh në zhvillimin ekonomik të këtij vendi me mundin dhe djersën tuaj. Krijuat një vend të respektuar dhe të nderuar në komunitetet ku jetoni.

Keni kontribut të çmuar në jetën shoqërore, kultore, të gjithanshme të këtij vendi.

Ecuria e statusit tuaj, ndryshimet kanë qenë të pamohueshme dhe pozitive.

Të gjitha këto në radhë të parë për meritën tuaj, për kontributin tuaj dhe dua të theksoj se ndoshta rrallë mund të gjesh dy kombe më të pleksur njëri me tjetrin se grekët dhe shqiptarët dhe ky është një faktor i pamohueshëm.

PD është e vendosur për marrëdhënie të konsoliduara të fqinjësisë dhe miqësisë së mirë me vendin ku ju jetoni.

Ne arritëm në vitet e para pas një ndërprerje shumë të gjatë të marrëdhënieve mes dy vendeve, arritëm të firmosim traktatin e miqësisë dhe ai traktat i firmosur nga presidenti Stefanopulos i kohës dhe unë, ishte dëshmi e një vullneti pozitiv për të ndërtuar një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe miqësor mes dy vendeve.

Ai traktat trajtonte problematikat që ekzistonin dhe orientonte zgjidhjet e tyre.

Mund të them se të gjitha qëndrimet e Edi Ramës janë të papërgjegjshme në raport me fqinjët tanë.

Së pari, ai injoroi totalisht traktatin për shkakun e vetëm se ishte firmosur nga qeveria e PD.

Së pari, qeveria e PD arriti të firmosë marrëveshjen e detit me Greqinë dhe unë u them ju se ajo marrëveshje ishte, siç quhet, fitim-fitim, pra fitonte secila palë.

Ajo ishte një marrëveshje e ndershme, transparente, të cilën Edi Rama e paditi në gjykatë, dhe pasi e rrëzoi në gjykatë për interesa joshqiptare, u soll në mënyrën më të papërgjegjshme me autoritetet greke.

Pasi negociuan katër vite me radhë, një ditë të bukur dalin e u thonë, tani nuk na lë vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Kush humbi në këtë mes? Humbi Shqipëria.

Pse humbi Shqipëria? Sepse mungesa e plotë e seriozitetit të qeverisë së Tiranës, bëri që qeveria greke, e cila kishte qëndruar për dekada në hapësirën 6 milje të ujërave territoriale, në përputhje me traktatin ndërkombëtar, kaloi në 12 milje. Dhe këtu Greqia nuk shkeli asnjë traktat, përkundrazi Greqia shfrytëzoi atë të drejtë ndërkombëtare që i jep traktati i detit.

Ishin këta që negociuan katër vite dhe thanë se ne nuk na lejon vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Sigurisht asnjë qeveri, edhe unë po të isha, do të bëja të njëjtin vendim. Do merrja të njëjtin vendim.

Atëherë Greqia shfrytëzoi të drejtën e traktatit dhe kaloi në 12 milje.

Kështu që marrëveshja që do firmoset, firmoset në kushte shumë të pafavorshme se marrëveshja e parë.

Kjo për shkak të papërgjegjshmërisë së Tiranës.

Qëndrimi tjetër ndaj Fredi Belerit.

Tani, ju jetoni aty. Jetoni në vendin tuaj.

Ju çdo ditë përpiqeni të sanksiononi të drejtat politike dhe jo vetëm ekonomike dhe kjo është shumë normale.

Sot, në hapësirën evropiane dhe jo vetëm në BE, ju shikoni se si Britania e Madhe kishte një kryeministër indiano-afrikan.

Dhe zotëria filloi betejën me Fredi Belerin.

Çfarë ishte beteja me Fredi Belerin?

Ua them unë ju që ta dini të gjithë.

Absolutisht për refuzimin e Belerit për të kandiduar për PS-në. E thirri në kryeministri, jo, tha ai, jam i djathtë, nuk pranoj të kandidoj për ty.

Dhe filloi beteja. Krijoi një sherr, një grindje në të cilën Shqipëria absolutisht nuk kishte të drejtë, përveçse përdori gjykatën për procese të mirëfillta politike kundër tij dhe dëshmitarë të rremë, dëshmitarë të paguar për të gënjyer në procesin e tij.

Dalim prapë tek diktatura pa parime, pa rregulla, pa ligje.

Interesat mafioze të Edi Ramës për brigjet e Himarës mbizotëronin mbi të gjitha interesat e tjera të qytetarëve të Himarës, të marrëdhënieve me fqinjët, etj.

Ndaj dhe ju ftoj të angazhoheni në këtë fushatë, në të cilën vota juaj ka rëndësi përcaktuese për Shqipërinë, shqiptarët dhe të ardhmen e saj.

Ju garantoj se PD, nesër në qeveri me koalicionin e saj, do krijojë kuadrin ligjor më të favorshëm, më miqësor për rikthimin e emigrantëve shqiptarëve, investimet e tyre.

Kuadër, i cili ç’është i vërteta u instalua edhe njëherë, por tani do jetë shumë më i gjerë në mënyrë që suksesin që keni pasur në Greqi, të vini dhe ta transferoni në Shqipëri.

Ju dhe emigrantët e tjerë nga të gjitha vendet, por para së gjithash duhet të angazhohemi për pjesëmarrje masive në votime.

Roli juaj është i pazëvendësueshëm, është përcaktues.

Ne do bëjmë gjithçka për të intensifikuar takimet me ju, për udhëzimet.

Do jetë viti i parë që emigracioni dhe diaspora do marrin pjesë në votime.

Ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe ju ftoj të bëjmë gjithçka së bashku në mënyrë që me votën tonë të lirë të shpëtojmë Shqipërinë nga kjo narkodiktaturë.

Ta bëjmë Shqipërinë një vend ku qytetarët e saj gëzojnë të drejtat që duhet të gëzojnë si qytetarë europianë dhe begatohen me mundin e djersën e tyre çdo vit e më shumë.

Do mund të dalin me mundin dhe djersën e tyre nga varfëria dhe të ecin drejt një jete normale.

Edhe njëherë, gëzuar Ditën e Flamurit, por gëzuar gjithashtu  edhe festat e fundvitit të gjithëve ju, miqve tuaj grekë, të gjithë familjeve tuaja.



Source link

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *